

Tiranë, 15 korrik 2013, NOA.al – Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar (PPSHR), ka reaguar sot për situatën e rendit në vend duke e konsideruar si kritike. Në një deklaratë për mediat, Marko Dajti, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR tha se deklaratat e deputetëve socialistë për pushime nga puna kanë bërë që efektivët e policisë të demoralizohen në ushtrimin e detyrës.
“Disa politikanë të Partisë Socialiste, të etur për pushtet, po bëjnë deklarata të papërgjegjshme për pushime masive nga puna, çka po shkakton demotivim në radhët e uniformave blu. Pavarësisht nga elementë të korruptuar në radhët e Policisë së Shtetit, të cilët meritojnë të largohen një herë e përgjithmonë së bashku me Sali Berishën, pjesa dërrmuese e efektivëve të kësaj strukture janë të ndershëm dhe punojnë me përkushtim, duke u përballur ditën dhe natën, në kushte jashtëzakonisht të vështira, me krimin dhe kriminelët”, tha kreu i PPSHR-së.
Dajti shprehet se pavarësisht problemeve në radhët e forcave të rendit, efektivët profesional nuk duhet të zëvendësohen nga militantë partie. “Ne iu bëjmë të ditur këtyre punonjësve se jemi përkrah tyre në këtë periudhë të vështirë dhe nuk do të lejojmë spastrime për arsye politike në këtë institucion. Ne nuk do të lejojmë që njerëzit e ndershëm dhe patriotë të zëvendësohen nga militantë partie. Profesionistët e vërtetë mbeten njerëzit më të respektuar dhe do të kenë përkrahjen e pakufizuar të partisë sonë, si një nga forcat politike pjesëmarrëse në koalicionin fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit”, – shprehet Dajti.
Marko Dajti, i cili në cilësinë e drejtuesit të partisë bëri dhe marrëveshje koalicioni me PS, shprehet se udhëheqësi faktik i aleancës së majtë është kreu i LSI-së, Ilir Meta.
“Në mënyrë të veçantë i bëjmë thirrje fituesit dhe udhëheqësit faktik të mazhorancës së ardhshme, z. Ilir Meta, të cilit më 23 qershor populli shqiptar i ka dorëzuar çelësat e Parlamentit, Qeverisë dhe Presidencës, që të jetë si gjithmonë i matur dhe i mençur, pasi fitorja e madhe sjell edhe përgjegjësi të mëdha për fatet e vendit”, shprehet Dajti. Ai shton se është detyrë e Metës për të këshilluar politikanët e PS që të mos bëjnë spastrime të papërgjegjshme në administratë. “Ai duhet të këshillojë këta politikanë të Partisë Socialiste që të heqin dorë nga deklaratat kërcënuese dhe të papërgjegjshme për spastrime masive që demotivojnë Policinë e Shtetit dhe Ushtrinë. Me këto dy struktura thelbësore për sigurinë e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare, askush nuk mund të bëjë aventura që sjellin pasoja të rënda”,- shprehet kreu i PPSHR, Marko Dajti. a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





