


Siç po paralajmërohet dhe këto ditë, çështja e politikave shëndetësore do të vazhdojë të jetë për periudhat në vazhdim një nga çështjet më të debatuara. Kjo është pozitivja. Aspekti negativ qëndron në faktin, tashmë të dukshëm në prononcimet e kolegëve socialistë, se koalicioni i majtë jo vetëm që nuk ka një vizion të qartë për politikat shëndetësore që kërkon të aplikojë, por po sillet me këtë çështje sikur t’i kishte mbetur në duar një “patate e nxehtë”. Në fund të fundit kjo ishte diçka e pritshme për mua, që para dhe gjatë fushatës, pikërisht kur unë debatoja me ata kolegë për thelbin spekulativ dhe irealist të teorive të tyre për të ashtuquajturin “sistem shëndetësor universal falas”, me linja programatike të ngjashme me ato të viteve ‘80.
Nga Tritan Shehu Atëherë, për të mos u zgjatur, çfarë po ndodh sot me këtë çështje, kur qeveria e majtë akoma nuk është krijuar?! Po ndodh në fakt një “çudi”, e paralajmëruar kjo prej muajsh. Politikanët e së majtës po bëjnë dy veprime në konfuzion e sipër. 1) Kërkojnë të largojnë realizimin e atyre “premtimeve” për në 2017-n. 2) Kërkojnë të konfondojnë edhe ato “premtime”, me atë çfarë tashmë është arritur në sistemin tonë shëndetësor. Në lidhje me çështjen e parë unë dëshiroj të theksoj se të majtët u votuan nga elektorati më 2013-n për legjislaturën që fillon në shtator. Sikur gjërat të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme për PS, në vitin 2017 do të ketë zgjedhje të reja politike, pra atëherë do të ketë filluar një legjislaturë e re, me të tjera programe. Unë realisht jam skeptik për këtë zhvillim, duke u bazuar te premtimet spekulative të bëra nga ata, disa prej të cilave janë pikërisht për sistemin shëndetësor. Të mos harrojmë se premtimet në politikë, atyre që i bëjnë ato, u qëndrojnë si shpata e Demokleut. Nga ana tjetër, unë dëshiroj t’u kujtoj kolegëve socialistë se reformat e rëndësishme, veçanërisht ato në sektorët thellësisht socialë, si shëndetësia, nuk mund të bëhen në fund të një mandati qeverisës. Ato fillohen me fillimin e legjislaturës, për të pasur një formë të konsoliduar të tyre rreth gjysmës së saj. Ky është një rregull universal për të gjithë ata që duan të bëjnë realisht gjëra të mëdha. Çështja e dytë është qartësisht një konfondim spekulativ termash, të cilën unë e kam shpjeguar dhe në debatet mediatike gjatë fushatës. Politikanët socialistë deklaruan këto ditë se në vitin 2017 do të realizojnë “mbulimin universal të popullsisë” jo me “sistemin e tyre universal”. Ne, prej disa vitesh e kemi realizuar “mbulimin universal” dhe bëjmë pjesë në atë grup prej 20% të popullsisë botërore, që sipas OBSH-së, e ka përmbushur këtë objektiv të saj të vitit 2000. Në fakt, kjo nuk ka asgjë të përbashkët me “sistemin universal” me të cilin PS spekuloi para e gjatë fushatës, duke premtuar heqjen e çdo kontributi direkt, takse apo pagese direkte për shëndetësinë!!! Që këtu vijnë natyrshëm dy pyetje: Çfarë, pra, do të realizojnë ata në vitin 2017, pa dyshim n.q.s. do të qeverisin deri atëherë, kur objektivin që ata e përcaktojnë, ne e kemi krejtësisht të realizuar sot (shiko OBSH)? Qartësisht asgjë të re. Po kështu duhet pyetur: Pse ata po konfondojnë termat, nuk përmendin më “sistemin universal të tyre”, por e zëvendësojnë atë me diçka krejt tjetër, me “mbulimin universal”, duke kërkuar ta largojnë dhe këtë element tashmë ekzistent te ne, për në vitin 2017?! Që këtu ka një amulli të plotë, kjo ka qenë prej kohësh e qartë dhe është akoma e tillë. Por unë shpresoj që këtu të ketë dhe një tjetër element, të vërtetë do të thosha, dhe që do ta konsideroja realisht pozitiv, n.q.s. do të ishte i tillë. Atë të tendencës së politikanëve të PS për t’u larguar më së fundi nga projektet absurde të çmontimit të gjithçkaje që ne, demokratë, socialistë, institucione ndërkombëtare, kemi arritur me përpjekje, vështirësi, me debate midis nesh, në këto 21 vite, duke konsoliduar kështu disa linja të përgjithshme politike të përbashkëta të zhvillimit të sistemit tonë shëndetësor. Realisht unë shpresoj të jetë kështu, pra të jetë dhe një largim nga disa spekulime elektorale. Në fakt, kjo do të ishte jo vetëm e keqja më e vogël, por do të ishte gjithashtu dhe një përpjekje e tyre për t’u kthyer në realitet, pavarësisht çmimit politik që do t’u duhet të paguajnë. Së paku ky veprim mund t’i vlejë zhvillimit të nesërm të shëndetësisë, pa dyshim edhe duke nxjerrë mësime nga gabimet e hezitimet tona të deri sotme. Pikërisht për të vazhduar shumë shkurt në ketë linjë mendimi, unë do të theksoja se sistemi ynë shëndetësor, i zgjedhur për t’u implementuar te ne që në vitin 1992, është realisht më i miri i mundshëm në themel. Defektet e problemet e shëndetësisë sonë nuk kanë ardhur nga vetë sistemi, por kanë ardhur nga ritmet, shpeshherë të ngadalshme, zigzaget, hezitimet për implementimin e plotë të tij, veçanërisht në drejtim të përputhjes përfundimtare të tij me fizionominë e ekonomisë së tregut, që ka vendi ynë. Dhe kjo, mbas arritjeve tona të tetë viteve të fundit, tashmë qëndron kryesisht për spitalet, privatin, zgjerimin sigurativ, me gjithë tendencën pozitive të shprehur edhe për këta sektorë së fundi. Ajo që realisht na duhet në të ardhmen, është pikërisht më shumë dinamizëm në këtë drejtim dhe më pak hezitim në marrjen e vendimeve për të ecur në këtë rrugë. P.sh., nëse e pranojmë, përveç atyre që premtojnë iluzionet, se kontributi direkt prej 3,4% është i ulët, këtu nuk e ka fajin sistemi, por hezitimi ynë për ta çuar minimalisht në 7% atë. N.q.s. ne pranojmë (dhe socialistët së fundi e kanë pranuar nën zë), se baza e shitblerjes së shërbimit janë indekset e kostos, jemi ne ata që duhet të implementojmë në vendin tonë ato indekse që konsiderohen më solide, pra sistemin DRG. Nuk është faji i sistemit, n.q.s. ne, në vend që të implementojmë së pari sistemin DRG, kërkojmë që të krijojmë si fillim protokolle mjekimi nacionale, kur dihet se ato vijnë më pas dhe nuk mund të jenë nacionale, por veçse çështje e spitaleve të veçanta. Nacionale janë vetëm standardet, indekset e cilësisë dhe vlerat e DRG, jo protokollet e mjekimit. N.q.s. të gjithë e pranojmë se spitali duhet të funksionoje si një ndërmarrje, atëherë faji është i yni që mbajmë akoma sistemin spitalor të centralizuar ose lëvizim shumë ngadalë drejt decentralizimit të tij, jo i sistemit. N.q.s. ne pranojmë se privati është pjesë e sistemit pasuri kombëtare, atëherë duhet ecur shumë më shpejt në njësimin e tij me publikun. Dhe kështu me radhë. Por këto nuk mund të realizohen pa qenë të qartë e të sinqertë me opinionin, qoftë në strategji, qoftë dhe në afatet kohore të implementimit të tyre. Unë e kuptoj, kolegët socialistë e kanë të vështirë ta bëjnë këtë gjë tashmë. Ata në filozofinë e programin e tyre u treguan thellësisht centralistë, kufizues ndaj privatit e tregut, nihilistë ndaj kontributeve e sistemit të sigurimeve, premtues të papërgjegjshëm populistë. Pra afrimi i tyre tashmë me realitetin do të kërkonte që ata vetë të pranonin që spekuluan gjatë fushatës. Kjo nuk është e lehtë dhe pa kosto, njerëzit nuk harrojnë. Por, nga ana tjetër, ata e kanë të pamundur të implementojnë “premtimet” e tyre irealiste. Kjo është dilema e tyre së fundi, që i bën ata ta trajtojnë strategjinë për sistemin tonë shëndetësor si një “patate të nxehtë”. Mua nuk më duket se kjo mund të jetë rrugëdalja më e mirë e tyre tashmë. Sidoqoftë, le të presim disa kohë. Unë vetë, në diçka do të këmbëngulja, në një debat me ministrin e ardhshëm të Shëndetësisë, jo tashti, por mbas rreth 6 muajsh në detyrë të tij, periudhe kjo krejt e mjaftueshme në një qeverisje për të kristalizuar implementimin e modelit të së ardhmes.
"Panorama"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





