Transmetuar më 15-07-2013, 10:52

Skuadrat e Serie A janë përfshirë prej javësh nga ethet e merkatos ku shumë lojtarë tashmë e kanë një klub të ri, ndërsa të tjerë ndodhen ende në udhëkryq.

Bëhet fjalë për emra të lakuar, por që po bien viktima të mosmarrëveshjeve në bisedime mes klubeve dhe mungesës së ofertave për ta transmeton Supersport.

Për t’u futur më në brendësi të çështjeve të pazgjidhura në Itali, po marrim me radhë 10 lojtarët më të lakuar të ditëve të fundit.

Njëri prej tyre është portieri Agazzi i Cagliarit, të cilin shoqëria ishullore nuk e lëshon pa 6 milionë Euro. Për të interesohet Fiorentina dhe presidenti Della Valle mund të bëjë një sforcim ekonomik për ta vendosur në katërkëndëshin e skuadrës vjollcë.

Një tjetër emër i lakuar është kiliani Mauricio Isla.

Mesfushori i Juventusit duhet të presë edhe disa ditë për të parë ecurinë e bisedimeve mes bardhezinjve dhe Interit që e kërkon me çdo kusht, por nuk arrin të gjejë formulën për të kënaqur kampionët e Italisë.

Për të qëndruar te Interi, një çështje e pazgjidhur në gjirin zikaltër është ajo e mbrojtësit Ranocchia, i cili nuk vlerësohet titullar në skemat e Mazzarrit, por nga ana tjetër, Massimo Moratti duhet të punojë shumë për t’i gjetur një destinacion të kënaqshëm.

Napoli qëndron në pole position por 10 milionë Euro janë shumë për presidentin De Laurentiis.

Daniele De Rossi mbetet nyja kryesore që duhet zgjidhur te Roma. Zv/kapiteni po humbet shkëlqimin dhe vlerën e kartonit vit pas vitit dhe ndoshta ky është shansi i fundit për të përfituar diçka nga shitja e tij.

Vlera e kartonit shkon rreth 10 milionë Euro, por Chelsea nuk është bërë më i gjallë në Trigoria për të marrë informacione nga drejtuesit verdhekuq.

10 milionë Euro kushton edhe kartoni i mbrojtësit Zuniga të Napolit. Interi dhe Juventusi janë në balotazh, por për momentin De Laurentiis nuk po lëkundet.

Kevin Prince Boateng është kthyer në një objekt të panjohur në Milano. Mesfushori i kuqezinjve dukej shumë pranë Monacos por bisedimet e Gallianit me skuadrën e principatës janë bllokuar, duke e bërë edhe më të paqartë situatën e ganezit në “San Siro”.

Një tjetër milanist jo komod në Milano është edhe Nocerino.

Adriano Galliani kërkon ta shfrytëzojë në maksimum mundësinë për të mbushur arkën duke i vendosur çmimin 7 milionë Euro por aktualsiht është shumë e vështurë të gjendet një blerës.

Interi ka nevojë për të holla kesh dhe Guarin është një nga të paktët lojtarë që mund të fusë 15 milionë Euro në arkën zikaltër.

Mazzarri kërkon ta largojë nga skuadra por nuk mendon kështu Moratti.Gjithsesi, më shumë rreth të ardhmes së kolumbianit do të mësohet gjatë ditëve të ardhshme.

Nuk mungojnë në këtë listë as dyshja sulmuese e Juventusit, Matri-Quagliarella që me ardhjen e Llorentes dhe Tevez duhet të mendojnë për destinacione të reja.

I pari e ka shumë të vështirë për të gjetur një blerës sespe Juventusi nuk ka ndërmend ta lejë të lirë pa 14 milionë Euro, ndërsa napoletani do ta ketë më të thjeshtë të shkëputet nga bardhezinjtë pasi për të kanë shfaqur interes konkret nga Anglia.

I fundit në listë renditet sulmuesi serb i Fiorentinës, Adem Ljajic. Për të interesohet Milani, por pafuqia financiare për ta vedhur e komplikon çështjen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit