Transmetuar më 14-07-2013, 08:31

Bergamo (Itali) 14 korrik 2013, NOA – Policia italiane ka nisur hetime intensive për të gjetur objektivin që kishte vënë në shënjestër një shqiptar i arrestuar dy ditë më parë. Qytetari nga Shqipëria, me inicialet L. E., 30 vjeç, u arrestua mbrëmjen e së premtes në Bergamo, për trafik droge. Por bashkë me drogën, 900 gramë kokainë, atij ju gjetën edhe 4 detonatorë të cilët përdoren për shpërthime pas lidhjes me telefonat celularë. Dy prej detonatorëve ishin montuar në celularë dhe ishin gati për përdorim.

Sipas policisë italiane, nuk dihet se kush ka qenë objektivi i shqiptarit, emri i të cilit nuk është bërë i ditur për arsye hetimore. Për drejtësinë, ai është një emër i njohur pasi dyshohet për një sërë veprash penale. Në vitin 2012 ai arriti t’i shpëtonte arrestimit për trafik prostitucioni duke u transferuar në Gjermani.

Ndërsa pas një viti policia ra sërish në gjurmët e tij në Bergamo, ku objekt i veprimtarisë së tij nuk ishte më shfrytëzimi i prostitucionit, por trafiku i drogës.

Gjatë kontrollit në banesë policia ka arritur të sekuestrojë dhe 21 mijë euro, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga shitja e drogës. Agjentët e policinë hedhin dyshime se detonatorët mund të kenë qenë pjesë e tregtisë, por nuk përjashtojnë mundësinë që ata mund të përdoreshin për ndonjë atentat.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit