

Edhe pse shqiptarët janë mëse 40 për qind e popullsisë në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM-FYROM), kjo nuk i ka penguar autoritetet maqedonase në Shkup që të shpërfillin sanksionimin e elementëve shqiptarë në kartëmonedhat e reja, bankënotat e dinarit maqedonas.
Banka Popullore e Maqedonisë (BPM) ka shpallur konkurs për zgjedhjen ideore dhe grafike të pamjes së bankënotave të reja të denarit.
BPM planifikon që për herë të parë të lëshojë në treg bankënotat prej 200 dhe 2,000 denarëve. Pas analizave të përgjithshme, BPM e ka parë të nevojshme hartimin e kësaj strategjie, sepse bankënotat e reja do të bëjnë rebalancin e strukturës aktuale financiare.
BPM ka hedhur poshtë zërat se, vendimi për shtypjen e këtyre valutave ka të bëjë me inflacionin, duke theksuar se bankënotat e reja do të lëshohen në treg në vitin 2015.
Në konkursin për zgjidhjen ideore dhe grafike të bankënotave janë inkurajuar të marrin pjesë edhe artistët shqiptarë. Po, këta të fundit theksojnë se nuk kanë ç’të kërkojnë në konkurse të tilla, ngase në asnjërën nga bankënotat e propozuara nuk është paraparë asnjë element shqiptar.
Në shënjestër të partive politike është zëvendësguvernatori i BPM’së, Fadil Bajrami, ngase nuk i ka lëvizur fare gjërat në favor të shqiptarëve në këtë institucion.
Me rastin e rizgjedhjes së Bajramit edhe për shtatë vite të tjera në këtë institucion, partitë opozitare e akuzojnë atë për dështim të plotë në planin e rritjes së ndikimit të vendimmarrjes, por edhe në rritjen e punësimeve të kuadrove të profilizuara shqiptare në këtë lëmi, pavarësisht asaj se një pjesë e tyre kanë mbaruar studimet jashtë vendit.
Gati të gjitha bankënotat e denarit kanë vetëm elemente sllave dhe maqedone, sepse vetëm në disa prej tyre simbolikisht janë evidentuar elemente shqiptare, si për shembull, tavani i stilizuar i një ode shqiptare.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





