Transmetuar më 13-07-2013, 09:20

Këngëtari i njohur Devis Xherahu ishte këtë vit fituesi i festivalit “Zambaku i Prizrenit”, një eveniment shumë i ndjekur dhe i pëlqyer në trevat shqiptare. Ai jo vetëm që mori çmimin e madh, por mori edhe dy çmime të tjera, atë të publikut dhe si interpretuesi më i mirë i një festivali që performohej live. Ky është një vlerësim i madh për çdo këngëtar.

Në një intervistë për suplementin “Summer Time” Devis ndan me lexuesit tanë emocionet e këtij festivali që me siguri do të mbeten gjatë në memorien e tij edhe për faktin e vetëm se një ndër prezantueset e këtij festivali ishte edhe Princesha e tij, siç e quan ai Ertemionën, e cila siç e pranon edhe Devis gjatë kësaj intervistë i ka sjellë shumë fat. 

Sapo keni dalë fitues i një evenimenti shumë të ndjekur “Zambaku i Prizrenit”, na flisni pak për këtë pjesëmarrje

Ishte nder dhe krenari që mora pjesë në këtë eveniment që është kthyer në një traditë tashmë pasi ka 26 vjet që organizohet. Një tradite kjo, mjaft e pasur me vlera shumë të vyera artistike, qytetare e festivalit të “Zambakut të Prizrenit”. Dhe sidomos e zhvilluar në një qytet aq të kompletuar në kulturë dhe traditë si Prizreni!

Ju dolët me tre kupa nga ky festival, çfarë do të thotë kjo për një artist?

Do ta quaj vërtet veten me fat që publiku i Prizrenit më dhuroi këto tre çmime të mëdha, pasi ishte hera e parë në 26 edicione të këtij festivali ndodhte një gjë e tillë. Sigurisht që marrja e tre çmimeve është një vlerësim dhe përgjegjësi shumë e madhe edhe për mua si artist. Sepse pas këtij vlerësimi sigurisht që mua më duhet që të punoj akoma më shumë për të justifikuar vlerësimin dhe dashurinë e publikut ndaj meje

Dhe cilat ishin tre çmimet që morët?

Këto tre çmime ishin çmimi i “Interpretuesit më të mirë”, çmimi i “Publikut” dhe çmimi i madh ai i “Zambakut të Prizrenit”..

Çmimi i parë i festivalit, mes sa konkurrentesh?

Ishte një pjesëmarrje e shumë këngëtarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria, çmimi i parë i festivalit mu dha mua mes 15 konkurrentëve pjesëmarrës.

Cilat ishin kriteret për të qenë pjesë e këtij festivali?

Kriteri i parë dhe më i rëndësishmi për mua do thoja, ishte që këngëtari të këndonte live, sepse në këtë festival u këndua live. Kriteri tjetër ishte që kënga të ishte e natyrës qytetare prej trevës nga e cila vinte këngëtari dhe në rastin konkret kënga ime ishte serenatë. Një serenatë shumë e bukur që u pëlqye shumë duke u vlerësuar si nga publiku ashtu edhe nga juria.

Ju ishit pjesëmarrës për herën e parë?

Po, isha pjesëmarrës për herë të parë. Jo sepse nuk kam dashur që të jem pjesë e këtij festivali më herët, pasi kisha vite që dëshiroja të isha konkurrentë dhe pjesëmarrës, por obligimet profesionale me pengonin. Për këtë vit e kisha vendosur dhe e gjeta mundësinë, këmbëngulja ime më rezultoi shumë frytdhënëse të them të vërtetën.

Ky festival kishte një të veçantë për ju, sepse një ndër tre moderatorët ishte edhe Erteminona Mejdani, vajza me të cilën ju jeni në lidhje prej disa kohësh, mendoni se ju solli fat?

Hmmm, në këtë festival kam ndjerë se përgjegjësia ime ishte dyfish për mua, sepse nuk doja të zhgënjeja as veten dhe as Ertemionen që ishte një nga tre prezantuesit e këtij festivali. U ndjeva mirë dhe i emocionuar sigurisht kur ajo thirri emrin tim në prezantim, dhe më krijoi një ndjesi që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Unë nuk jam supersticioz por në këtë rast do të bëja një përjashtim dhe do them, po pjesëmarrja e saj si prezantuese e këtij festivali, vërtet më solli shumë fat.

Kënga titullohej “Të trashëgohesh”, mos ishte një indice për të na thënë se këtë urim mund t’ua bëjmë edhe juve pak më vonë?

Serenata që kisha zgjedhur unë të konkurroja titullohej “Të trashëgohesh” dhe në fakt nuk e kisha menduar akoma një gjë të tillë, por tani që po e mendoj dhe ju po më drejtoni këtë pyetje, them se çdo gjë është vullnet i Zotit dhe unë i bindem…

Çfarë emocionesh merr kur kupën ta jep njeriu i zemrës, na flisni pak për ato momente?

Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Ertemiona thirri emrin tim dhe të them të vërtetën më preku mjaft ky fakt, sidomos kur pashë gjithë mimikën e saj të lumtur, që ajo gati fluturonte nga gëzimi. Por në momenti kur ma dorëzoi trofeun i thashë vetëm  faleminderit por pa zë dhe me mendjen time i thashë, “E sheh nuk të zhgënjeva. E mbajta fjalën që do të bëja krenare, emocione këto që nuk shprehen dot me fjalë…

Në një farë mënyre, publiku në Kosovë ju ka vlerësuar më shumë se publiku këtu, apo jo?

Nuk do ta thosha këtë, sepse nuk mund ta ndaj publikun e shqiptarëve të Shqipërisë me atë të Kosovës, do të beja gabim po ta ndaja, por vërtet publiku kosovar i Prizrenit më ka befasuar mjaft në këtë eveniment të rëndësishëm duke më dhuruar tre çmime. Siç e thashë edhe pak më lart, kjo është vlerë dhe përgjegjësi për mua..

Çfarë projektesh keni në plan për muajt në vazhdim?

Po muajt e vërës janë shumë të ngarkuar për ne këngëtarët, pasi jemi nëpër koncerte të ftuar pothuajse çdo ditë të javës, nëpër Shqipëri, Kosovë dhe jashtë trojeve shqiptare, atje ku ka shqiptarë patjetër që është edhe kënga shqipe…

A do të kemi ndonjë surprizë për fansat gjatë muajve të verës?

Po patjetër që po, megjithëse nuk mund ta quaj tamam surprizë, sepse unë e kam bërë të ditur edhe nëpërmjet profilit tim në Facebook. Për të gjithë fansat e mi siç e bëra të ditur, del pas disa ditësh, dueti me mikun tim, bilbilin e jugut Vaskë Curin, që do të shoqërohet edhe me videoklip. Do të jetë padiskutim një duet qe unë besoj se do të kthehet në një hit, që do na shoqërojë të gjithëve kudo, jam i sigurt për suksesin e këtij bashkëpunimi.

A do të jeni pjesëmarrës në festivalet e organizuar këtu në Tiranë?

Them se po, unë kam marrë pjesë në festivalin “Kënga magjike” dhe në dy vitet e fundit, kam sjellë dy këngë hite tashmë për publikun. “Akoma se besoj” dhe “Fallxhorja” dhe besoj se edhe këtë vit do të jem pjesëmarrës. Këtë herë kam një këngë timen dhe do të jem kantautor. Do të vij më ndryshe se përfaqësimet e tjera, sepse këtë herë do të sjell një baladë, shumë të veçantë për mua. Kam menduar që ta lançoj pikërisht në festivalin “Kënga magjike” që fillon në muajin shtator.

Keni paralajmëruar edhe një këngë të re me këngëtarin grek Lefteris Pantazis, kur do të jetë gati kënga?

Fatkeqësisht këngëtari i njohur, miku im Lefteris kaloi një problem jo të lehtë me shëndetin dhe kjo na nxori pak nga programi, por mendoj se vitin që vjen ky projekt të realizohet dhe të sjellim një gjë shumë të bukur për publikun.

Stina e verës ka nisur, keni menduar se ku do t’i kaloni pushimet?

Në fakt pushimet e mia janë të varura nga angazhimet profesionale, por meqenëse dëshira e Ertemiones është që të vizitojmë Spanjën, mendoj t’ia plotësoj dëshirën diku në Majorka ose Ibiza.

Diçka për në mbyllje?

Doja të falënderoj autorët e këngës fituese, që janë njëkohësisht edhe miqtë e mi të vjetër. Tekstin dhe muzika Vaskë Nici, orkestruesin Gent Myftaraj, gjithë stafin e festivalit që bënë një punë profesionale të shkëlqyer dhe producentin e këtij festivali Bashkim Rakaj, për të gjithë këta dhe për të gjithë publikun do të doja që t’ju thosha faleminderit përzemërsisht!!

Shikoni edhe fotot e ciftit duke iu gëzuar plazhit!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit