

Tiranë, NOA.al- Një delegacion i Partisë Liberale për Liri dhe Demokraci (VVD), anëtare e koalicionit qeverisës të Vendeve të Ulëta, kryesuar nga Deputeti dhe Zëdhënësi për Çështjet Evropiane Mark Verheijen, u prit sot në Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti, shoqëruar nga Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni.
Panariti dhe Verheijen diskutuan mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe mbi axhendën evropiane të Shqipërisë.
Verheijen përcolli urimet e tij për rezultatin e arritur nga LSI-ja dhe vlerësoi se zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara për Shqipërinë. Gjithashtu Verheijen pasi vuri në dukje vështirësitë e krizës ekonomike në Evropë dhe sfidat e zgjerimit me të cilat përballet sot popullësia e vendeve anëtare, theksoi se Vendet e Ulëta dhe Partia VVD që ai përfaqëson mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drejtim, ai u shpreh se vendet anëtare të BE presin të shohin rezultate sa më konkrete nga qeveria e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe adresimit të prioriteteve të tjera në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Panariti shprehu vlerësimin e tij për mënyrën se si qytetarët votuan në 23 qershor dhe nënvizoi se shqiptarët janë shprehur qartë se vendin e tyre dëshirojnë ta shohin sa më shpejt në BE. Më tej Panariti theksoi se pas miratimit të 3 ligjeve dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, duke vënë në dukje këtu edhe rolin konstruktiv dhe pozitiv që Shqipëria luan në rajon.
Panariti rikonfirmoi se prioriteti kryesor jo vetëm i LSI-së, por edhe i qeverisë së re do të jetë avancimi i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë drejtim, Panariti tha se Shqipëria mirëpret një raport pozitiv të Komisionit Evropian në Tetor dhe një miratim nga vendet anëtare për statusin e vendit kandidat brenda këtij viti./a.h/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





