

Vlorë, 12 korrik, NOA – Përmes operacionit të koduar “Sfida 5”, Policia e Vlorës ka mundësuar arrestimin e tre personave që tentuan të grabisin dje pikën e këmbimit valutor që ndodhet në afërsi të Xhamisë së Plumbit në këtë qytet.
Ky fakt bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të qytetit bregdetar, sipas të cilave, tre të ndaluarit, kanë vjedhur edhe dy netë më parë në lagjen “Pavarësia”.
Mësohet se ata janë përkatësisht Kristian Balliu, 28 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, me precedent penal; Besnik Çipi, 29 vjeç, banues në lagjen “24 Maji” dhe Erjold Dhamaj, 25 vjeç, banues në qytetin e Selenicës.
Siç sqarojnë më tej burimet policore për NOA-n, që të tre këta persona, sapo kanë hyrë brenda pikës së këmbimit valutor dhe në momentin që kanë nisur veprimet kriminale për grabitjen e saj, kanë dalë përsëri dhe janë larguar menjëherë me autoveturën e vjedhur pasi kanë konstatuar se në drejtimin e tyre po shkonte një auto-patrullë e policisë së rendit, e cila është vënë në ndjekje të menjëhershme të tyre.
“Pasi janë larguar nga pika valutore, nën ndjekjen e policisë, autorët kanë braktisur automjetin e krimit në afërsi të shkollës ”Lef Sallata” duke e djegur atë dhe për të humbur gjurmët, kanë marrë një automjet tjetër tip AUDI A6, në pronësi të një prej autorëve dhe pikërisht Erjol Dhamajt”, citojnë më tej burimet policore.
Duke përfunduar me faktin se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një automjeti tip Fiat Punto ngjyrë e bardhë me targa të huaja; një armë zjarri tip automatik model 56 (kallashnikov); një armë zjarri tip Pistoletë TT mod 56 dhe një automjet tip audi A6, me targa AA258ES në pronësi të Erjol Dhamajt.
Arrestimi i këtyre personave u krye për veprat penale “Vjedhje me armë” dhe “Vjedhja”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 140, 134, dhe 278 të Kodit Penal. Ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale. /e.t/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





