Transmetuar më 12-07-2013, 13:47

Tiranë, 12 korrik, NOA – “Apelit të kryeministrit të zgjedhur, për të shprehur online interesin për t’u provuar për skuadrën e re për Shqipërinë, i janë përgjigjur deri tani 5280 persona: 2383 femra dhe 2897 meshkuj”.

Kështu është shprehur sot para medieve, deputetja socialiste Milena Harito, duke e cilësuar këtë fakt si “një përgjigje ngazëllyese qytetare për projektin afatgjatë të krijimit të bankës së të dhënave, mbi kapitalin njerëzor të Shqipërisë”.

Ndërkohë që sipas saj, aplikimet vazhdojnë dhe deri tani shprehja e interesit ka ardhur nga të katër anët e botës e përkatësisht: 5007 brenda Shqipërisë dhe 273 jashtë Shqipërisë.

“Ne po punojmë për t’i sistemuar aplikimet sipas kategorive profesionale, sipas shkallëve të eksperiencës, si edhe për të përgatitur kalimin në fazën dy ku të gjithë aplikantët do të marrin informacion prej nesh.

Sqarojmë përsëri se ky nuk është një premtim për punë, po një hap  i rëndësishëm drejt lirisë së konkurrencës dhe vlerësimit sipas meritës në këtë vend.

Përmes kësaj baze të dhënash do të bëhet e mundur që në konkurset për vendet vakante ose të reja në sektorin publik të ketë shumë më tepër kandidatë, duke i bërë konkurset plotësisht të hapura për këdo që ka interes të provohet.

Kjo është një rrugë për t’i dhënë fund praktikave të errëta tradicionale larg syve dhe vëmendjes së publikut.

Jemi angazhuar që çdo njeriu të zot dhe të gatshëm për të kontribuar për ndërtimin e Shqipërisë Europiane në sektorin publik, t’i japim mundësinë të provohet e të angazhohet sipas meritës. Këtë sapo kemi filluar të bëjmë”, sqaroi më tej deputetja e selisë së PS-së.

Duke përfunduar se kjo bazë të dhënash do të jetë një mundësi e re edhe për sektorin privat që të kërkojë njerëzit e duhur duke informuar në këtë rrjet të ri, për vende të reja pune. /e.t/noa.al/

 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit