Transmetuar më 11-07-2013, 21:34

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço, dhe Gledion Rehovica, ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së në këtë qytet për rezultatin e LSI-së në këtë qytet.  Meta deklaroi se “ky rezultat veçse na bën më të përkushtuar ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, por natyrisht në mënyrë të veçantë ndaj të gjithë atyre që besuan tek sigla e LSI-së, tek slogani i LSI-së për të ecur më shpejt, edhe tek numri ynë, 26-a”.

“Ky është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse. Është e vërtetë që ne në vitin 2009 në Kuçovë nuk dolëm mirë për shumë arsye por që atëherë e deri në zgjedhjet lokale u bë një punë e vazhdueshme që dha rezultatet e saj. Iu përveshëm punës dhe sot kemi këto rezultate që janë shumë të mira.

Ne duam të vazhdojmë të rritemi dhe ne do të rritemi dhe do të vazhdojmë të ecim më shpejt. Njëkohësisht përveçse programit për të gjithë Shqipërinë, të bëjmë një program të veçantë për Kuçovën, një program të veçantë për Beratin, për çdo rreth, në mënyrë që ne vazhdimisht të realizojmë objektivat tona, edhe kur ato mund të duken jo shumë të mëdha por janë konkrete dhe ndihmojnë një lagje, një fshat, një familje, një komunitet, qoftë edhe një njeri të veçantë”, ka thënë Meta në fjalën e tij.

Sipas Metës, rezultatet e zgjedhjeve në vitet 2005, dhe 2009 nuk kanë qenë pozitive pasi ato nuk kanë qenë zgjedhjet të ndershme për LSI-në. “Përkundrazi kanë qenë zgjedhje që bëheshin vetëm për të shtypur, për të shkatërruar një forcë politike që kishte një mbështetje reale në të gjithë vendin, duke shpikur kode, duke na përjashtuar nga komisionet, nga numërimet dhe duke i bërë një presion shumë të pandershëm qytetarëve që të mos votonin për LSI-në”, tha ai.

Meta tha para të pranishmëve se shpreson që të arrijë edhe mandatin e Kukësit sepse  ai është një mandat që i takon LSI-së dhe se do ta çojnë deri në fund luftën e tyre.

“Ne kemi gjetur të gjitha manipulimet. Diferenca është vetëm 10 vota”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se kontibuti i LSI-së për koalicionin e majtë është shumë i madh.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë gjatë katër viteve që vijnë. Të punojmë çdo ditë gjatë dy viteve që do vijnë sepse kemi sfidën më të afërt, atë të zgjedhjeve vendore. Do të vazhdojmë të zgjerojmë frymën e bashkëpunimit brenda LSI-së. Arritja jonë ishte edhe si rezultat i punës të jashtëzakonshme që bënë strukturat e LSI-së, por edhe i angazhimit të shumë përkrahësve, të shumë dashamirësve tanë dhe tuajt, të cilët bënë gjithçka për të rritur përkrahjen për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Tani është koha që të gjithë ata të cilët kontribuuan jashtë strukturave dhe që kanë dëshirë dhe vullnet të integrohen në këto struktura, le të integrohen”, tha Meta.

Sipas tij tashmë LSI-ja perceptohet si një forcë e madhe dhe jo si një forcë e vogël. Edhe partnerët ndërkombëtarë e shohin LSI-në si një faktor shumë të rëndësishëm të stabilitetit, të integrimit, të garancive për zhvillimin normal të vendit dhe i gjithë ky besim brenda dhe jashtë vendit është pasuria më e çmuar për këtë parti./a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit