

Sot bëhen 18 vjet nga masakra e Srebrenicës. Para 18 vjetëve ushtria serbe hyri në Srebrenicë, në enklavën boshnjake, duke kryer një masakër të vërtetë ndaj popullsisë.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë sot në ceremoninë mortore, që përkon me përvjetorin e tetëmbëdhjetë të masakrës së vitit 1995.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka shprehur respekt për viktimat e masakrës së Srebrenicës, 18 vjet pas “genocidit të kryer” atje.
Catherine Ashton
“Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë dhembjen që ndien një nënë apo baba kur varros fëmijën e vet. Dhe, asnjë fjalë nuk mund të ngushëllojë mendjen e familjeve të viktimave. Megjithatë, ajo çfarë mund të bëjmë ne është që të tregojmë respekt për këto humbje, të refuzojmë mohimin e genocidit dhe, si masë konkrete, të mbështesim drejtësinë”, – ka thënë Ashton.
Beogradi dezerton ceremoninë
Në përkujtimoren e sotme në Srebrenicë nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i qeverisë së beogradit.
Ngjarja
Sulmi në Srebrenicë filloi më 6 korrik 1995 dhe përfundoi pesë ditë më vonë, me hyrjen e ushtrisë në qytet nën komandën e Ratko Mladiçit. Tashmë ai gjykohet në Hagë për krime lufte. Prokuroria e Hagës e akuzon atë se deri më 19 korrik të vitit 1995 në mënyrë të organizuar dhe sistematike ka vrarë rreth 8 000 myslimanë, burra e fëmijë. Në Potoçane të Srebrencës sot do të varrosen edhe 409 viktima të identifikuara. Deri më tani janë varrosur 5 657 të vrarë./a.h/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





