Transmetuar më 10-07-2013, 21:52

Prishtinë 10 Korrik 2013 NOA.al – Mbi 4 mijë kosovarë të cilët ndodhen në kampet e Hungarisë e të cilët së shpejti do të kthehen në Kosovë. Ministrja  Vlora Çitaku, mbajti sot një takim me institucionet përgjegjëse për luftimin e trafikut të qenieve njerëzore.  Në takim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe udhëheqësi i Divizionit Ekzekutiv i EULEX-it.

Çitaku tha se azili nuk është më opsion dhe se qytetarëve të  Kosovës nuk u jepet më azil në vendet e BE-së. Ajo tha se azili është armiku numër një i liberalizimit të vizave për Kosovën.

“U  bëj thirrje të gjithëve që të mos bien pre e grupeve kriminale duke rrezikuar jetën e tyre”, ka thënë Çitaku.

Kurse ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi u shpreh se prej të enjtes nga Austria pritet të vijë autobusi i parë me të kthyer nga ky shtet. “Ajo që po u lehtëson punën emigrantëve kosovarë, është se tani mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime nëpër Serbi, dhe kostoja e këtij udhëtimi dhe shkuarja deri në Hungari është shumë e lirë”, tha ai.

Një konstatim nga ky takim është se personat që bien pre e mashtrimeve, rrezikojnë sigurinë e tyre personale, shpenzojnë mjete të panevojshme dhe përfundojnë në qendra për azilkërkues të cilët në një afat shumë të shpejtë i riatdhesojnë në Kosovë, e pas kësaj atyre u ndalohet hyrja në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme.

Ndërkaq përfazqësuesit e Policisë kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet për disa rrjete dhe që sot kanë arrestuar dy persona.

“Tashmë kanë nisur disa hetime të cilat do të rezultojnë të suksesshme, të cilat kanë për qëllim hetimin dhe arrestimin e atyre që ofrojnë shërbime të kontrabandimit por edhe të atyre që e nxisin këtë proces”, ka thënë Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, e ka quajtur reagimin e Qeverisë së Kosovës hipokrit dhe shkaktar të këtij fenomeni.

“Hipokrizia s’ka kufi. Rreziku me i madh i liberalizimit te vizave nuk janë qytetarët dhe trafikuesit, por varfëria dhe mjerimi i skajshëm që po zotëron kudo në Kosovë si rezultat i keqqeverisjes, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekziston vetëm një adresë e vetme për këtë situatë, ajo është Qeveria e Kosovës. E sipas Qeverisë, si gjithmonë, fajtor është qytetari. Mjaft më me akuzat kundër qytetareve”, është shprehur Osmani.

Azilkërkuesit kosovarë tash e gjashtë muaj në masë të madhe kanë marrë rrugët e Evropës./t.k./a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit