Transmetuar më 10-07-2013, 18:30

Shkup, 10 korrik/NOA.al – Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi se partia që drejton ai nuk është e interesuar për zgjedhje të parakohshme dhe për të qenë pjesë e Qeverisë.

Ai këtë e theksoi pas takimit që pati sot me ambasadorin amerikan në Maqedoni, Pol Volers në ambientet e ambasadës në Shkup.

“Ne jemi morali i shqiptarëve, opozita është moral i një kombi. Ne nuk e bëjmë moralitetin me numra. Nuk jemi të interesuar për zgjedhje të parakohshme dhe për të qenë pjesë e qeverisë. Jemi të interesuar për të kontribuar në procesin eurointegrues”, deklaroi Thaçi.

Duke komentuar zërat e fundit për acarimin e marrëdhënieve brenda partive të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI, lideri i PDSH-së theksoi se bëhet fjalë për një film të vjetër të Ahmetit dhe Gruevskit.

“Është një film i vjetër që vazhdon prej vitit 2008, sikur ata nuk duhen, vetëm duan të tregojnë para shqiptarëve se nuk pajtohen me politikën e VMRO-së dhe të arsyetohen para bashkësisë ndërkombëtare. Nuk jep efekt kjo. I vemti efekt mund të jetë parapërgatitja e tyre për zgjedhjet e parakohshme”, tha Menduh Thaçi.

Sipas tij, vizitat e fundit të Ahmetit jashtë vendit për të nxitur zgjidhjen e kontestit të emrit janë vetëm farsë dhe pa ndonjë efekt.

“Nuk varet prej Ahmetit, ai vetëm luan një rol të një kapiteni që qëndron në një anije e cila fundoset, gjithë pasagjerët i ka në panikë dhe u thotë se vjen ndihma. Nuk ka ndihmë. Anija, qeveria e Maqedonisë fundoset dhe bashkë me të fundoset edhe BDI-ja edhe Ahmeti”, theksoi në fund Thaçi./n.p/a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit