Transmetuar më 10-07-2013, 15:42

Ashtu si në vitet e fundit, këtë 4 Korrik, mes mijëra amerikanëve të rinj, shumë shqiptarë bënë betimin solemn të qytetarisë

Nga Ruben Avxhiu

Çdo vit qindra mijëra amerikanë të rinj bëjnë betimin dhe marrin nënshtetësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse ceremonia e betimit formal mund të caktohet në çdo ditë të vitit, shumëkujt i takon që të betohet në 4 Korrik, në festën kombëtare të Pavarësisë. Dita ka simbolikë të fortë dhe preference për të është e natyrshme.

Nga ana tjetër ceremonitë e zhvilluara në këtë ditë tërheqin vëmendjne e medias, e cila në shumicën e rasteve, në ditë të tjera, nuk i quan lajm me rëndësi ceremoni të tilla.

Ashtu si në vitet e fundit, këtë 4 Korrik, mes mijëra amerikanëve të rinj, shumë shqiptarë bënë betimin solemn të qytetarisë. Vështirë të gjësh amerikanë më krenarë se ata që kanë lindur në trojet shqiptare. Shohin te atdheu i tyre i ri, një vend që i ka ndihmuar në histori, një vend që u është bërë shtëpi e dytë në shekuj e ku u pëlqen të jetojnë e të punojnë.

Ndryshe nga shumë vende të tjera në botë, në SHBA nuk ka nevojë që të braktisësh nënshtetësinë e mëparshme për t’u bërë amerikan. (Madje tani shumë shqiptaro-amerikanë do të kenë mundësi për të aplikuar për nënshtetësi të Shqipërisë – udhëtimi i kundërt me të atë që bënë shumë prindër e gjyshër të tyre). Po mbi të gjitha në SHBA nxitet dhe lavdërohet ruajtja e identitetit kombëtar të vendit nga ke ardhur. Kjo shmang nevojën për të zgjedhur mes dy kulturave dhe identiteteve, e në fund i bën njerëzit edhe më të lirë për të përqafuar atdheun e tyre të ri pa harruar të vjetrin.

Në praktikë, shumë shqiptarë kanë përdorur mundësitë që u ka dhënë Amerika për të ndryshuar jo vetëm jetën e tyre por edhe atë të atdheut të të parëve të tyre. Që nga pavarësimi i Shqipërisë dhe i Kosovës, një shekull, gati larg njëri-tjetrit, te përmirësimi i jetës dhe të drejtave të shqiptarëve trojet e të cilëve mbetën jashtë kufijve kombëtare e deri te përpjekjet për zhvillim ekonomik e integrim në institucionet perëndimore e ndërkombëtare duke përfshirë NATO-n e BE-në.

Nga Neë York-u në Massachusetts, nga Michigan në Illinois dhe Pennsylvania, e në shumë shtete të tjera shqiptarët shqiptuan me krenari fjalët e betimit të Qytetarisë Amerikane.

Në sallat ku u organizua betimi, këtë javë, amerikanët e rinj: dëgjuan edhe një mesazh të regjistruar për ta nga vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Jam krenar që ju uroj mirëseardhjen”, u tha Barack Obama, përpara se t’u kujtonte se. “nënshtetësia vjen me privilegje por ka edhe përgjegjësitë e saj”.

“Tani ky është vendi juaj!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit