

Tiranë, NOA.al – (e përditësuar)Kryeministri në detyrë, Sali Berisha tha sot në mbledhjen e qeverisë se ekonomia vazhdon rritjen progresive.
Duke iu referuar një raporti të Komisionit Evropian, Berisha informoi se, “rritja e 3 mujorit të parë ka qenë 1.7 përqind. Ekonomia vazhdon rritjen,vazhdon krijimin e vendeve të reja të punës”.
Sipas kryeministrit, ekonomia mbahet në stabilitetin më të sigurt në rajon. “Ndaj dhe dua të përgëzoj të gjithë administratën për funksionimin e saj. Zgjedhjet kaluan dhe ato nuk patën ndikim negativ në performacën ekonomike. Ftoj përsëri administratën që me përkushtimin më të madh të vazhdojë detyrën pasi interesat e shqiptarëve janë ato që duhet të frymëzojnë punën e saj. Ka një rritje dyshifrore të prodhimit industrial, ka një rënie të ndërtimit por në tërësi rritja është progresive e krahasuar me 2012”, nënvizoi Berisha, citon Noa.al.
“Papunësia në vend ka shënuar një rritje me 0.5 %”, tha ai. Rritja e papunësisë në vend është me 0.5 %, shpjegoi Berisha. “Të dhënat sipas KE tregojnë se në rast se eurozona nga një papunësi prej 12.2 %, Shqipëria është i vetmi vend jashtë eurozonës, me një papunësi 12.8 %. Papunësia e të rinjve sipas kësaj statistike është 22.8 në Shqipëri”, bëri me dije Berisha.
Mes të tjerash në fjalën e tij kryeministri tha se, “mazhoranca e re po tregon shenja revanshi të papranueshëm”.
Duke iu referuar deklaratave të pasardhësit të tij, kryeministri theksoi se, “këto shenja janë dëshmi në njërën anë të një epshi të papërmbajtur për pushtet dhe në anën tjetër të mosdijes së rregullave të qarta”. “Ai do t’i diktojë qeverisë në detyrë rregullat e kushtetutës së Bangladeshit, por ata për të krijuar qeverinë teknike kanë rregull që qeveria dorëzon punën tre muaj para zgjedhjeve kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ky model në Evropë nuk ekziston” tha Berisha.
Po duke replikuar në distancë me Edi Ramën, referuar deklaratës së tij për auditim ndërkombëtar Berisha tha se “zotërinjtë duhet ta dinë që auditi ndërkombëtar është online. Shqipëria është një nga vendet e pakta që boton, publikon në faqen e thesarit çdo qindarkë që shpenzohet në territorin e republikës së Shqipërisë nga buxheti i shtetit dhe këtë mund ta kontrollojnë pa asnjë vështirësi cilido qytetar shqiptar dhe i huaj në mbarë planetin. Por auditin më të shkëlqyer të financave shqiptare ia ka bërë Fitch në Londër ku eurobori i Shqipërisë nga 7.6 përqind interesi që u ble në fillim ka zbritur në 5.6 përqind. Pra një dëshmi e besimit më të lartë për financat stabile të Shqipërisë”, vijoi ai.
Po në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha i kërkoi administratës të vijojë punën për zbatimin me përpikmëri të programit qeverisës deri ditën kur ajo të jetë në detyrë. “Askush të mos japë dorëheqjen, administrata që vjen ka të drejtat e saj brenda ligjeve që të ndërmarrë vendimet që i takojnë. Lidhur me debatin se a janë hequr apo jo, po janë hequr, pse janë hequr? Se historiku i Shërbimit Civil në vend është ky”, u shprej ai.
Duke vijuar shpjegimin Berisha tha se, “kur erdhëm ne pushtet gjetëm këtë shërbim dhe në administratë vetëm 1% e punonjësve të tij të shkolluar në shkolla perëndimore, ndërkohë që ishin mijëra të formuar në këto vende e këto shkolla dhe për shkak të ligjit këta nuk futeshin në shërbimin civil. Qeveria përcaktoi stimuj për të inkurajuar angazhimin në administratë e kjo ka ndodhur, uroj që edhe qeveria që vjen të konsiderojë shumë të rëndësishme thithjen e trurit” tha Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë, kryeministri në detyrë Sali Berisha. O.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





