Transmetuar më 10-07-2013, 01:37

Ju zoti Migjen, ju aq delicatissimo dhe raffinatissimo në ndjenja, mendime e shpërthime, ç‘mendoni Ju për Shqipërinë e sotme në përgjithësi dhe në veçanti për njërën nga ato që sapo u thanë; “Këtu fillimi është mbarim”?!

Nga Edison Ypi

Këtu pasoja vjen para shkakut! Këtu pjesa është me e madhe se e tëra. Këtu fillimi është mbarim! Këtu mbarimi është fillim! Këtu të vdekurit vlejnë më tepër se të gjallët! Ule zërin t’thash’, ule se po na dëgjojnë të vdekurit! Nuk e ul! Le të dëgjojnë! Atyre s’u ikën dot. Atyre s’u shpëton dot. Ata ndjejnë, ata dinë, dëgjojnë, shohin gjithçka. Ja tek erdhën! Pesë. Më të mirët! Ata, që për Shqipërinë shqyen gjokset, nxorën fjalët, ndezën zjarret, shpërthyen dritën! Poetët! Ja, ndreqën kockat, mblodhën mishrat, ngritën rrasat, shkundën baltrat, udhëtuan, u lodhën, erdhën. Shihi si janë ulur nëpër banka si nxënës. Sa urtë rrinë, sa të mirë janë, ke qejf t’i shohësh. Ngrihet madhështori Fishta, -Zotërinj, në këtë komunikim, ne të vdekurit e gjallë do bëjmë sa të mundemi të kjartësojmë të gjallët e vdekur për të zezën që i ka gjetur. Lutem të bëhet kujdes të paraqitemi si kemi qenë në të vërtetë, pra Njerëz prej mishi dhe gjaku. E theksoj këtë, pasi prej syresh që do na dëgjojnë ka jo pak tyça, trapa, tuba, skllevër të propagandave nga ata që i dinë përmendësh të tëra pataksjet poetike që kemi shkruar, dhe meqenëse aq shumë i shijojnë, na përfytyrojnë jo prej mishi, por prej gipsi. Çka s‘është aspak e vërtetë. Sepse të rënë nga qielli nuk kemi qenë as atëherë pa le tani që u ngritëm nga baltrat e varreve. Të nisim pa humbur kohë. S‘është mirë të vonohemi se varret na presin. Ju zoti Migjen, ju aq delicatissimo dhe raffinatissimo në ndjenja, mendime e shpërthime, ç‘mendoni Ju për Shqipërinë e sotme në përgjithësi dhe në veçanti për njërën nga ato që sapo u thanë; “Këtu fillimi është mbarim”?! Përgjigjet Migjeni, -Ah Shqipëri-Shqipëri, Ti më e hirshmja se hëna, më e menduara se muzgu, më e lehta se mjegulla, më delikatja se vesa! Un’ t’i di hallet Ty. Un’ jam turbekular dhe mezi flas, por dy fjalë po t’i them; Më varrosët e më zhvarrosët sa herë deshët. Më shatë e fjalë s’më latë. Deri edhe soc-realist edhe “Niçean” më quajtët! Sa për niçean, niçean jam. Madje, jo vetëm jam, por si thotë Zoti Lasgush në një përkthim të tijin, “jam dhe e kam për nder, q’ato që vuan çdo njeri, më mbushin plot me helm e vrer”. Prandaj, hiç mos u çudisni tani që po ju them se që andej nga varri çka vërtet admiroj në Shqipërinë e sotme është ajo;“Këtu, fillimi është mbarim”, sepse, në Shqipëri, ku kur të vrasin si qen nën hënë të plotë në mëngjes të shpallin shenjtor, është, ishte, dhe do jetë gjithmonë e vërtetë. E provova në lëkurën time; Linda, pra fillova, kuq si molla në Shqipëri. Pasi fillova, aty për aty kuptova se u nxiva, u kalba, pra mbarova, pra u turbekulova po këtu në Shqipëri ku fillova. Pastaj, pasi prita edhe pak, “duke parë çdo dit’ e ma mirë e duke vuejtun thellë e ma thellë”, një të ikur në Itali. Kam edhe të tjera sa shpirti ma di, por kaq kisha tani për tani se pas pak do më zëri kolla. Flet Naimi si Ai, -Juve zoti Lasgush ju jam borxhli. E them këtë, sepse në varr kam marrë vesh se, pasi vdiqa, Ju më ngritët edhe disa qiej më lart se isha. Si e kuptoni Ju atë “Këtu pasoja vjen para shkakut” ë?! Ja pret Lasgushi, -Eh moj Shqipëri që ta kafshofsha gushën e vullkanit të pasionit nga shpërthen llava e dashurisë që djeg, ta puthsha aeroportin e ballit të nurit ku ngrihen e ulen tajaret e mallëngjimit, ta thithsha hirin e prushit të mbuluar të zjarrit të nën barkut, ta hëngsha bebzën e pishës së syrit! Eh moj Shqipëri, që më bëre të ngrihem nga varri të vij këtu si në mbledhjen e kolektivit në shtëpinë botuese “8 Nëntori”! Sa për përgjigjen e pyetjes që më bëtë zoti Naim, atë Ju sapo e shqiptuat vetë. Ju, pasoja, u bëtë aq i madh sepse, unë shkaku, ju bekova nja njëzet vite më vonë. Ti zoti Migjen mos u kollit aq shumë se pengon të tjerët të dëgjojnë. Mbledhja është mulli. Edhe pak dhe un’ Sovrani do iki. Ju vazhdoni se atë punë keni. Hollaku Migjeni, -Jam tejet i prekur që perfeksionisti zoti Lasgush e mbylli me një kunj për mua që jam i racës së Tij. Ai, mbi kapelën republikë, kishte një cikërr balte varri të cilën unë s’ia vura në dukje. Por nejse, t’i lemë këto. Dini të na e shpjegoni Ju zoti Zef Serembe njërin nga absurdet e sotme të Shqipërisë; “Këtu mbarimi është fillim”! Zefi duke u dridhur, -Uh un’ i mjeri që e dua Shqipërinë më hollë se teli tingullin, më dridhshëm se italiani Danten, më bukur se Dantia Beatriçen, më verbtas se besimtari kishën, më madhërishëm se prifti Altarin, obobobo sa i desha katundarkat arbëreshe! Aq i desha sa veten vrava. Veten e vrava, pra mbarova, dhe në qiell fluturova, pra fillova. Kaq përgjigja. Tjetër s’di. Estetizanti Lasgushi, -Ju zoti Nol, ju që jeni aq i madh sa mëngjezeve puthni veten në pasqyrë, ju që haberin për të ardhur këtu e morët kur ndërkohë ishit duke luajtur në flaut një “Notturno, triste molto apassionato” që e keni kompozuar vetë, ju që keni shkruar e përkthyer kryevepra me krime që s’i rrok mendja, me të gjallë dyshimtarë gjer në lemeri, të vdekur që përpëliten, fantazma që ecin, magjistrica që profetizojnë rrejshëm por këndshëm, a e çthurni dot Ju këtë çorap pis të zi; “Këtu të vdekurit vlejnë më tepër se të gjallët !” I madhi Noli, -Po. Por para shthurjes duhet të bëj një skjarim; Shqipëria ka në themel një krim! Po! Madje jo krim dosido por një krim divin ! Perëndia, kriminalisht, u a ka marrë të gjitha nuret, të gjitha hiret, të gjitha bukurirat, të gjitha pasurirat, të gjitha të tjerave, dhe ja ka dhënë të gjitha Asaj, Shqipërisë. Ky është filli që duhet kapur për të bërë të mundur të gjitha çthurjet, çorapet, trikot, zgjedhjet, votimet, numërimet. Pas këtij skjarimi, në vazhdim të arsyetimit mbi krimin divin, përgjigja për pyetjen Tuaj del vetvetiu; Vet prezenca jonë këtu, vet fakti që na thirrën dhe ja ku jemi, provon se të vdekurit e Shqipërisë vlejnë dhe do të vlejnë…etj., etj. I ëmbli Serembe, -O Naim, o Bej, o njeri, o qiri, a s’më thua diçka?! Diçka që në fyt më ka ngecur, diçka që nuk e kuptoj dot kurrsesi, atë; “Këtu pjesa është me e madhe se e tëra”?! S’kam lënë libër dhe enciklopedi pa shfletuar dhe internet pa parë dhe s’e gjej dot. Gjigandi Naimi, -Kjo o zoti lirik arbëresh aq i përmalluar, është pyetje e vështirë. Shqipëria është një vend shumë i veçantë. Eshtë, si të thuash, një palcë pa kockë, një nyjë pa dru, një mish pa tav dheje! Nuk e di sa po kuptohem. Në Shqipëri, domethënë atje, pra këtu, ka shumë më tepër kunguj që rrokullisen se sa sqetulla për t’i mbajtur. Unë, unë i marri me mall të shkari, këto i kam ditur, por nuk i kam shkrojtur, sepse kur unë rrova lypseshin të tjera gjëra. Por, për të ardhur tek pyetja juaj, them se një poezi e vetme e Lasgushit, pra një “pjesë” e Tij është ku e ku më e madhe se “e tëra” poezia e ndonjë tjetri, apo disa të tjerëve së bashku. E kam të qartë se për ta besuar këtë që sapo thashë, që t’u qarkullojë tamam gjaku në kokë, “redaktorëve të vjershëtorëve” u duhet të thithin paraprakisht krejt Hashin e Afganistanit. Por s’kam ç‘bëj, kjo është e vërteta. Po të ishte ndryshe këllirat s’do ishin zgjyra, por Poeta. Papritmas Noli, -Ju lutem prisni! Mos u ngutni të ktheheni. Varret aty janë. Ende nuk kemi mbaruar. Sapo më erdhën dy SMS nga dy mbretër! Të parin ma dërgoka Ahmeti nga Mati. Ja po ua lexoj; asnjëri nga ju nuk e do shqipërinë më shumë se unë. unë shqipërinë e dua më tepër se ministri sorollopin, sorollopi doganat, doganat drogat, fanatiku mitingun, rapsodi çiftelinë, burokrati skrivaninë, xhelati litarin, litari skllavin, skllavi skllavopronarin, kamikazi kuranin, anglia diplomacinë, amerika naftën. prandaj ju them dëgjoni këshillat e mia praktike dhe mos u merrni me dokrra poetike. hëpërhë, në ndonjë mënyrë si t’ju vijë për mbarë, merrini anglisë borxh ca shi’ për të mbushur digat se ka plaka plot, ca asfalt për të shtruar rrugët, dhe ndonjë muze’ për histori. tani. të tjerat më vonë, se tani po më bie bateria. Të dytin ma ka dërguar Skënderbeu. Shihni ç‘shkruan Mbreti; mua, si i shpatës që jam, fare nuk më intereson, a është a s‘është e bukur shqipëria, a më quani kaur apo mysliman, a isha trim a finok frikacak a mjaft demokrat me princat dhe kalorësit, kush i fitoi zgjedhjet në shijak, a kishte a s’kishte bandita me koka të rruara me në qafat e trasha golden zinxhira në katund të ri, a po i kapni peshkaqenat me rrjeta me tel me gjemba nga i kufirit apo me rrjeta nepotike e të tjera e të tjera. me këto merruni ju. unë kam vetëm një këshillë. këshillë, e cila në thelb është një punë e pa kryer, një merak i mbetur pezull i homologut tim ahmet. e kam llafin për atë kërkesën që ahmeti i bëri sejfi vllamasit kur i tha t’i mblidhte një herë të gjithë bashkë në sallën e teatrit të kukullave a dikund tjetër aty rrotull kapadainjtë që donin të bëheshin të gjithë ministra pastaj sejfiu të mos kishte hiç merak se me ta do merrej ai, ahmeti pra. mirpo s’di pse s’u bë. dhe kunj më ka mbetur. atë kunj të cilin athere sejfiu ja nguli hamletit të nolit, më fal ahmetit të matit, të dalë sot ndonjë hundlesh t’ia shkuli shqipërisë. ah, kënaquni me kaq nga unë mbreti, s’vazhdoj dot se m’u mbarua krediti.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit