


Nju Delhi, 9 korrik, NOA – Në mjediset e Ministrisë së Financave, në Nju Delhi, u nënshkrua dje marrëveshja midis qeverisë së Indisë dhe asaj të Shqipërisë, për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal në Lidhje me Tatimet mbi të Ardhurat dhe Kapitalin.
Nga pala shqiptare nënshkrimi u krye nga ana e Ambasadorit Fatos Kërçiku, ndërsa nga pala indiane nënshkrimi u krye nga ana e Sekretares Speciale të Qeverisë Indiane, Sudha Sharma.
Kjo marrëveshje do të zbatohet për persona të cilët janë rezidentë të njërit, ose të dy Shteteve Kontraktuese, për tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, të vendosura në emër të një Shteti Kontraktues ose të nënndarjeve administrative apo autoriteteve të tij lokale.
Gjithashtu, marrëveshja përmban dispozita për procedurat reciproke, ku, autoritetet kompetente të dy vendeve, mund të diskutojnë rastet individuale për të eliminuar rastet e taksimit të dyfishtë./e.t/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





