

Tiranë, NOA.al- (e përditësuar) Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u kërkoi sot deputetëve të rinj të partisë së tij të mbyllin kapitullin e fitores dhe të nisin kapitullin e mirëqeverisjes.
“Në 23 qershor shqiptarët na dhanë së bashku me aleatin tonë strategjik LSI mandat të rëndë sa një mal. Për tani duhet të mbyllim kapitullin e gëzueshëm dhe të hapim kapitullin e mirëqeverisjes në një vend ku realiteti s`ka asgjë të gëzueshme” tha Rama.
Sipas tij, ka nisur një sfidë e re, “ne nuk jemi më në opozitë. Këto dy muaj kanë një rëndësi të veçantë”.
Kryeministri i ardhshëm i bëri thirrje publike qeverisë Berisha “për vetëpërmbajtje në shërbim të vendit dhe publikut. "Jetojmë në Evropë dhe qeveria në detyrë të sillet sipas standardeve të Evropës. Shqiptarët meritojnë respekt pasi zgjodhën me 1 milionë vota projektin tonë fitues dhe refuzuan projektin e qeverisë aktuale. Humbësit nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe aq më pak si fitues”, tha Rama.
Ai paralajmëroi se me betimin e qeverisë së re do të anulohet çdo vendim për shpenzimeve parash që shkojnë përtej rolit të një qeverisë kujdestarie, si dhe do të zhbëhet çdo vendim për tenderë dhe koncesione të marrë pas 23 qershorit.
Më vjen keq, tha kryeministri i ardhshëm, "që për shkak të sjelljes me paratë e popullit dhe pasuritë kombëtare këto ditë duhet të ua kujtojmë përsëri se janë mundur aq keqazi, por e kemi detyrë publike që ta ndalin projektin e tyre rrënues, janë në të drejtën e tyre ta interpretojnë verdiktin e popullit, por e kanë humbur të drejtën të marrin vendime me kosto materiale në dëm të sovranit”.
“Gjatë ditëve të fundit mora takime në funksion të këtij 2 mujori tranzicioni me presidentin Bujar Nishani, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës Ardian Fullanin. I falënderoj për disponimin dhe frymën pozitive të bashkëpunimit, por nuk mund të mos bashkohem me shqetësimin e ngritjes në detyrë nga KLD të një sërë gjyqtarësh. I kam thënë Nishanit se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare nuk është problem por rëndësi në kulturën e një bashkëpunimi. Dua të shpresoj që dhe ai ta shohë kështu e të punojë me mua, bashkë me kryetarin e kuvendit jo si noter i një pale që ka humbur zgjedhjet por garant i Kushtetutës. Dua të shpresoj se presidenti do ta lexojë mirë votën e 1 milionë shqiptarëve që na dhanë 84 mandate", tha Rama.
Më tej, Rama informoi, “gjatë takimit me Prokurorin e Përgjithshëm kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar krimin dhe korrupsionin në çdo nivel. Me guvernatorin kemi diskutuar mbi gjendjen e financave të vendit. Kam kërkuar hartimin e një programi të vlerësimit të sistemit financiar së bashku me partnerët ndërkombëtar”, përfundoi kryetari i Partisë Socialiste fjalën në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS. O.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





