Transmetuar më 08-07-2013, 18:58

“Më mirë të vdes, unë kam bërë gjëra të këqija, kështu më kanë thënë dhe më kanë rrahur”. Këto kanë qenë fjalët e shpeshta që 23-vjeçari Aurel Dollanga nga Gramshi i thoshte kohët e fundit babait të tij.

Prindi i shqetësuar tej mase, përpiqej me orë të tëra të qetësonte djalin e tij të cilin ia kishin rrahur barbarisht në Greqi aq sa një goditje në tru i shkaktoi pasoja.

Megjithëse qëndronte shpesh pranë të birit, babai nuk ka mundur ta shpëtojë atë nga vdekja.

Djaloshi 23-vjeçar konsumoi një sasi fotoksinë duke gjetur vdekjen.

Aurel Dollanga ishte kthyer në janar të këtij viti nga Greqia ku jetonte si emigrant prej disa vitesh.

Pronari i tij nuk kishte pranuar që ta paguante për punën e kryer dhe bashkë me disa persona e ka rrahur barbarisht 23-vjeçarin duke i shkaktuar dëme serioze në trup dhe kokë.

Nga dhuna e ushtruar dhe nga terrori psikologjik dhe gjendja e rënduar psikologjike që ka përjetuar, Aurel Dollanga u sëmur mendërisht.

Prej janarit familja e tij është përpjekur duke u rropatur nëpër spitale që të rikthente mendjen e djalit.

Aureli qëndroi i shtruar 2 javë në Spitalin Psikiatrik në Tiranë dhe më pas u dërgua në banesën e tij në Gramsh ku kurohej.

Kjo fillimjavë ka qenë fundi për të riun sepse në orët e mesditës ai i ka dhënë fund jetës. Babai i kishte përgatitur drekën dhe i ka dhënë edhe ilaçet me të cilat po kurohej sistematikisht.

Sapo ka dalë nga banesa 23-vjeçari ka gëlltitur një sasi fotoksine të cilën e kishte blerë vetë ditën e shtunë kur edhe zhvillohet tregu i kafshëve. Ai u gjet në gjendje të rëndë nga prindërit dhe u transportua në spital por ka qenë e kot pasi ndërroi jetë pak orë më pas. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit