Transmetuar më 08-07-2013, 19:56

ELBASAN, NOA.al – Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd, me katër të vdekur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca policore dhe ekipe shpëtimi nga repartet lokale të zjarrfikësve si dhe banorë e udhëtarë.

Të dhënat nga vendngjarja flasin për përplasjen e fugonit të pasagjerëve me një mjet të tonazhit të rëndë tip trajner në afërsi të fshatit Xibrakë në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd.

Burime në vendngjarje i thanë agjencisë noa.al se trajneri me targa të Korçës KO 1025 A është përplasur me fugonin e pasagjerëve me targa të Librazhdit, LB 001 A.

Mësohet se janë edhe disa persona të tjerë të cilët kanë mbetur të plagosur në shkallë të ndryshme ku dy janë në gjendje më të rëndë.

Eduart Haskurti, 45 vjeç, drejtuesi i furgonit mësohet se është në gjendje kritike për jetën, së bashku me një pasagjer që ndodhej në fugonin e tij.

Dyshohet se aksidenti erdhi për shkak të parakalimit të gabuar të drejtuesit të fugonit në kohën që ishte duke udhëtuar në rrugën nacionale në afërsi të fshatit Xibrakë. Edhe lagështira në rrugë shihet si shkak i aksidentit tragjik.

Në aksident mësohet se është përfshirë edhe një automjet i tretë tip BMW me targa AA 971 EA, i drejtuar nga Ervin Çuçuli nga Elbasani.

Sipas burimeve të policisë në vendgjarje, mësohet se tre mjetet janë përplasur me njëra-tjetrën, në momentin kur mjeti tip BMW, me targë AA 971 EA, ka qenë, duke parakaluar në rrugë të drejtë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Xibrakë. Më pas, teksa ka tentuar të devijojë, furgoni është përplasur me mjetin tip BMW, dhe më pas me trajlerin, me targa KO 1025 A, kur ky i fundit ishte në rrugën e tij.

Policia ka njoftuar në mbrëmje se ka identifikuar viktimat e aksidentit. Ata janë nënë e bijë, Nasibe Shehu (68) dhe Salush Kullasi (48) nga fshati Krastë, Elbasan, si dhe çifti i bashkëshortëve, Rifete (49) dhe Fetah Çela (52) nga Katundi i Ri, fshat afër qytetit Elbasan.

Sipas të afërmve bashkëshortët Çela kishin pak ditë që kishin ardhur nga Greqia, dhe shtëpinë e tyre e kishin në Elbasan. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit