Transmetuar më 08-07-2013, 13:37

Tropojë, 8 korrik, NOA – Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sokol Olldashi, ka nisur takimet intensive me bazën e demokratëve.

Kështu, ai ka udhëtuar sot drejt  veriut të vendit, ku në një komunikim të drejtpërdrejtë me strukturat e Partisë Demokratike në Tropojë, deklaroi se gara në PD është një garë vlerash dhe jo rivaliteti, duke sjellë në vëmendje reputacionin e padiskutueshëm të liderit historik të demokratëve, Sali Berisha.

“Vështirësia është dita pas garës, pasi duhet të zëvendësojmë një figurë historike që e themeloi këtë parti dhe e drejtoi për 23 vite. Çdo arritje e Shqipërisë në këto 23 vite është e lidhur me Partinë Demokratike që themeloi Sali Berisha”, theksoi ai.

Më tej, kandidati për të drejtuar Partinë Demokratike, Sokol Olldashi, u bëri thirrje demokratëve të qëndrojnë të bashkuar për t’i dhënë vendit një opozitë të fortë dhe dinjitoze.

Sipas tij, Partia Demokratike i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet për të ndërtuar opozitën më të fortë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

“Partia Demokratike, – deklaroi Olldashi, – përballet me një mazhorancë numerikisht të madhe, por lehtësisht të thyeshme”.

Kurse duke analizuar situatën post zgjedhjeve politike, kandidati Olldashi deklaroi se Partia Demokratike duhet të rindezë motorët partiakë për të gjallëruar të gjithë trupën politike të saj, duke ritheksuar në të njëjtën kohë, rëndësinë e vendosjes së mekanizmit të karrierës politike brenda partisë Demokratike.

Më tej, gjatë një takimi me anëtarë të PD-së së  Kukësit, kandidati për kreun e kësaj force politike, Sokol Olldashi, theksoi se “janë mundësitë për rikthimin e shpejtë të PD-së në pushtet”.

”Ju u treguat më të vëmendshëm dhe fituat. Ndaj ju shpreh të gjitha falënderimet. Që të ringrihemi duhet t’i korrigjojmë gabimet, se dhe strukturat e partisë erdhën duke u dobësuar, pasi drejtuesit u angazhuan në detyra të ndryshme drejtuese shtetërore, gjë që solli edhe dobësimin e partisë në nivelin bazë”, tha më tej Olldashi./e.t/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit