Transmetuar më 08-07-2013, 09:29

Shkup, 8 korrik/NOA.al – Kryeministri Nikolla Gruevski ka pranuar se ka mosmarrëveshje me partnerin shqiptar të koalicionit BDI.

Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për një portal maqedonas, ku sipas kryeministrit, dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI po përpiqen për të mbajtur funksional koalicionin qeverisës.

“Kemi mosmarrëveshje. Për disa çështje gjejmë zgjidhje, për disa akoma nuk kemi gjetur. Kam thënë më parë, por prapë do të them, se marrëdhëniet me BDI në dy mandatet e qeverisjes nuk janë të njëjta. Në mandatin e dytë tashmë janë përkeqësuar, por akoma janë në nivelin e përmbajtur. Sa kohë që do të kemi trende të rritjes së standardeve në të gjitha sferat, do të ketë logjikë bashkëpunimi ynë. Ky është misioni ynë si politikanë, për reforma në vazhdimësi për të mirën e vendit dhe të gjitha komuniteteve pa dallime etnike dhe fetare”, ka theksuar Gruevski.

Ai ka folur edhe për partitë politike shqiptare dhe qasjen e tyre ndaj pushtetit me kuadro kuantitative, sesa kualitative.

“Mendoj se liderët politik shqiptar në Maqedoni më shumë kujdes i kushtojnë sasisë të posteve qeveritare, sesa cilësisë së kuadrove. Cilësi që do të ngrejë tërë shoqërinë dhe jo vetëm një grup etnik. Nuk them se ka kuadro jo të mirë midis shqiptarëve. Unë them se ka. Por më pak i kushtohet kujdes atyre nga ana e liderëve dhe partive shqiptare”, deklaroi Gruevski, duke shtuar se kur flet për një temë të tillë nuk ka asgjë të keqe për shqiptarët.

Ai ka folur edhe për përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe nevojën që kjo gjuhë të mësohet edhe nga maqedonasit.

“Mendoj se disa politikanë nga dëshira për t`iu leverdisur elektoratit, harrojnë disa çështje më thelbësore. Si shembull, shqiptarët në Maqedoni maqedonishten fillojnë ta mësojnë nga klasa e katërt, ndërsa gjuhën angleze nga klasa e parë. Në këtë drejtim ka një rezistencë që edhe maqedonishtja të mësohet nga klasa e parë. Nga ana tjetër, sipas ligjit, nxënësit maqedonas mund të mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë fakultative që nga klasat fillore, por thuajse askush se praktikon këtë. Politikanët këtë realitet e heshtin. Unë pyes se ku na çon kjo ? Nëse tani nuk jetojmë njëri pranë tjetrit, si do të jemi pas 20 apo 30 viteve. Si do të merremi vesh? Me përkthyes apo në gjuhën angleze ? Këto janë probleme thelbësore, dhe jo se a do të udhëheq kryetari i Parlamentit seancën në gjuhën maqedonase apo shqipe në kushtet kur transmetimet në televizion shkojnë edhe në gjuhën shqipe për shqiptarët”, theksoi Gruevski.

I pyetur se a do të lejonte që fëmijët e tij të mësojnë gjuhën shqipe, Gruevski ka theksuar se absolutisht do të lejojë këtë. “Unë jo vetëm që do t’i lejoj, por do t’i inkurajoj ata që të bëjnë këtë. Përveç njohjes së gjuhës angleze si shembull, njohja e gjuhës shqipe është një përparësi tjetër. Njohja e një gjuhe të huaj është pasuri dhe sidomos njohja e gjuhës së fqinjit tuaj është përparësi dhe jo handikap”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski, duke theksuar se mban këto qëndrime të hapura, pavarësisht se si do të komentohet nga opinioni maqedonas apo komunitetet e tjera. /n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit