

Gjirokastër, 7 korrik 2013, NOA – Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot platformën e tij për drejtimin e partisë në rrethin e Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij, Basha vuri në dukje punën e bërë nga PD për transformim e vendit, ndërsa u shpreh se kjo forcë politike duhet të ringrihet për të fituar.
“Në përvojën time si kandidat për deputet, si koordinator për qarkun e tretë më të madh të Shqipërisë për vitin 2009, si kandidati për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës që garoi dhe mundi ish-shefin e opozitës dhe do ta mundim sërish së bashku ka një dhe vetëm një sekret, mobilizimi total i potencialit tonë, potenciali ynë i mobilizuar i tëri, nga anëtari më i vjetër historik deri tek anëtari më i ri i Partisë Demokratike, i motivuar”,- tha Basha.
Ai u shpreh se duke u mbështetur te anëtarësia PD-ja mund të ringrihet dhe të arrijë fitore të reja. “Është një forcë që e kanë zili kundërshtarë tanë politikë, është një forcë e pathyeshme njerëzore, është forca ku ne do të mbështetemi për fitoren tonë të ardhshme, por që ta bëjmë këtë duhet të kthejmë kokën se çfarë nuk kemi bërë mirë, të bëjmë atë që s’e kemi bërë mirë dhe të përfitojmë nga përvojat më të të mira moderne të partive evropiane, për të ndërtuar instrumentin fitues të fushatës së ardhshme elektorale dhe kjo nis me përfshirjen dhe dëgjimin e çdo anëtari dhe militanti të PD dhe këtë mund ta kishim bërë më mirë, mund ta kishim bërë shumë më mirë”, tha Basha.
Kandidati për kryetar i PD-së është ndalur dhe qëndrimet e Partisë Socialiste për administratën. Ai tha se strukturë drejtuese e PD dhe grupit parlamentar do të jenë në mbrojtje të çdo punonjësi të administratës, i cili kërcënohet për tu larguar nga vendi i punës. “Çdo anëtar i shërbimit civil, të administratës publike, që preket nga arroganca, abuzivizmi dhe arbitrariteti i mazhorancës së ardhshme duhet dhe do të përballet me pikëpamjen time, me një forcë politike e cila jo vetëm ngre zërin, denoncon, evidenton por është gati në çdo moment me mjete juridike, politike dhe të gjithanshme, t’i paraqesë faturën financiare ligjore dhe politike për çdo veprim arbitrare në raport me administratën publike. Dhe ky është një zotim i imi, por është po kështu një domosdoshmëri e veprimit tonë të menjëhershëm politik”,- tha Lulzim Basha.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





