Transmetuar më 06-07-2013, 17:23

Një aksident rrugor ka ndodhur në dalje të qytetit të Përrenjasit.

Automjeti me targa të Tetovës në të cilin ndodheshin katër persona që udhëtonin nga Maqedonia nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës drejt Durrësit.

Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesat e Pishkashit” pasditen e së shtunës.

Mësohet se automjeti me targa të Tetovës TE 84 11 AB, ka humbur drejtimin dhe ka dalë jashtë rruge. Pasi është përplasur me borduarat mbrojtëse, makina ka përfunduar në humnerë.

Policia është njoftuar me telefon celular nga persona që udhëtonin në këtë segment dhe kanë mbërritur pa vonesë në vendngjarje. Të aksidentuarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Përrenjasit.

Mësohet se në këtë aksident ka mbetur i dëmtuar rëndë Nasip Ramadani nga Tetova i cili drejtonte autoveturën me targa TE 84 11 AB.

Ndërsa tre të dëmtuarit e tjerë, djemtë e tij, janë të dëmtuar më lehtë. Ata vinin në Shqipëri si turistë për të kaluar disa ditë pranë bregdetit të Durrësit. Policia tha se vazhdon të hetojë për të zbardhur shkaqet e qarta të aksidentit. /a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit