

Biznesmeni shkodran, Agron Çela, nuk do të jetë më president i klubit të futbollit Vllaznia. Vendimi vjen pasi në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Çela fitoi mandatin e deputetit nën siglën e LSI-së,
Çela duke folur për dorëheqjen, tha se një vendim të tillë e mori pas një takimi të realizuar sot në bashkinë e Shkodrës me kryebashkiakun Lorenc Luka.
“Megjithë dëshirën e madhe për të vazhduar të kontribuoj për futbollin shkodran, specialistët juridikë konfirmuan se në cilësinë e deputetit, ligji që bën fjalë për konfliktin e interesit, nuk ma lejon që të vazhdoj të mbaj më këtë post”, tha z. Çela.
Në të tilla kushte, që prej ditës së sotme, kontrata trevjeçare që Çela kishte lidhur me Vllazninë për të mbajtur postin e presidenti, shfuqizohet.
Tani, do të jetë Bashkia e Shkodrës që do të marrë përsipër drejtim e klubit Vllaznia. Sektori i sportit pranë bashkisë në bashkëpunim me administratën e klubit Vllaznia janë ngarkuar për drejtimin e futbollit shkodran, ndërkohë që në periudhën në vazhdim do të shihet mundësia e gjetjes së një presidenti të ri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





