

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, deklaroi sot në Kosovë se, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i saj mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, ai u shpreh se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka siguruar zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar përgjegjësitë që u takojnë në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, shkruan gazeta kosovare Telegraf.
Ajo deklaroi se, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht, është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti dhe përfshirja e saj në të gjitha nismat rajonale, në mënyrë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë, do të mundësojë dhënien e kontributit për çështjet e përbashkëta dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të rajonit.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





