Transmetuar më 05-07-2013, 11:36

Tiranë, NOA.al – (Përditësuar) Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare se ajo që shqiptarët i kanë dhënë koalicionit të majtë është e jashtëzakonshme dhe vlerësoi se "ajo që ne do t’i kthejmë duhet të jetë e jashtëzakonshme".

Rama falënderoi anëtarët e strukturës më të lartë vendimmarrëse të kësaj partie, ndërsa u kërkoi bashkëpunim për realizimin e programit qeverisës.

“Faleminderit për gjithçka bëtë për këtë fushatë që ishte më e bukura dhe më kompleksja e zhvilluar në Shqipëri në gjithë këto vite”, tha Rama në nisje të fjalës së tij.

Sipas z.Rama, askush nuk e priste këtë rezultat. “Të gjithë besonin tek fitorja, por askush nuk mendonte se fitorja do të ishte kaq e thellë dhe se shqiptarët do të na ngarkonin me një përgjegjësi kaq të thellë”, nënvizoi Rama.

Kjo fitore, – tha ai, – na bën të lexojmë me vëmendje rezultatin dhe për të kuptuar se çfarë kanë dashur të na thonë njerëzit me këtë mandat që na kanë dhënë.

“Nuk është një votë për të ndryshuar Shqipërinë, por votë për të ndryshuar thellësisht Shqipërinë. Shqiptarët na kanë vënë para një sfide të madhe, që mund ta fitojmë të gjithë së bashku, ne si familje socialiste dhe me aleatët tanë dukë nisur nga aleati strategjik, LSI. Do të fitojmë së bashku sfidën e jashtëzakonshme të qeverisjes përmes vlerave të atij programi që i drejtoi nga ne", – deklaroi z.Rama.

Kreu socialist shtoi se, “ky është një mandat që na vendos para 2 mundësish: Ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas 4 vjetësh në mënyrë historike".

Këtu ai shtoi: "Na duhet reformë tërësore në sundimin e ligjit dhe riorganizim i sistemit të territorit si pasuri kombëtare dhe publike, por edhe si shprehje e të gjithë interesave private dhe të parasë publike”.

“Kundërshtarët na kanë lënë një libër të çmuar ku janë të nënvizuara dhe rreshtuara të gjitha gabimet e qeverisjes, që ne nuk duhet t’i përsërisim nëse nuk duam të zhgënjejmë popullin shqiptar. Dhe ky libër duhet lexuar”, u shpreh z. Rama.

“Deputeti nuk mund të jetë lypës fondesh në dyert e qeverive. Deputetët mund të marrin pjesë aktivisht në hartimin e buxhetit, por ne duhet të ndërtojmë figurën e një deputeti, që nga kërkues fondesh e tenderësh të kthehet në promotor të investimeve për hapjen e vendeve të reja të punës në të gjithë territorin e tij. Po kështu, skuadrat e Rilindjes do të jenë skuadra, që do të punojnë ditë-natë për të promovuar qarkun e tyre, jo tek Qeveria, por tek sipërmarrja vendase dhe e huaj”, bëri me dije Rama.

“Lavdi popullit shqiptar kemi marrë një mandat për çdo reformë të mundshme dhe askush, unë i pari nuk ka më alibi të thotë: Këtu na bllokojnë, këtu nuk mundemi. Na kanë dhënë shqiptarët çdo përgjegjësi për të kthyer me vepra ato që i kemi thënë me fjalë. Brenda dy muajsh ne do gjykohemi me vepra. Është e domosdoshme, që deputetët të ndiejnë barrën e jashtëzakonshme të këtij mandati dhe të kuptojnë se nuk është e mundur që ecja drejt BE të realizohet si veprim i 2-3 individëve, por si skuadër, ku gjithkush ka misionin e vet.”

Kryeminjistri i ardhshëm, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Sali Berisha që të ndalë miratimin e vendimeve të qeverisë.

Sipas Ramës, populli e ndëshkoi pikërisht për këto vendime që ka marrë ndaj qeveria e ardhshme do të sillet e rreptë ndaj çdo aktiviteti privat që nis punën pas 23 Qershorit.

“Qeveria të ndalë marrjen e vendimeve, populli e ndëshkoi. Jam i detyruar t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve që përfshihen në këtë proces që të mos vazhdojnë bashkëpunimin".

Më tej ai paralajmëroi: "Ne do të jemi të rreptë me çdo produkt të aktiviteteve private që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e papranueshme që një qeveri e ndëshkuar me votë plebishitare të marrë vendime”, deklaroi mes të tjerash Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. /o.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit