

Nëse jo të gjithë, gazetarët dhe miqtë e dinë që një ndër arsyet pse Çiljeta Xhilaga mbetet kaq e dashur për publikun shqiptar është çiltërsia që e karakterizon si njeri dhe pozitiviteti që transmeton jo vetëm në biseda kafenesh, por edhe nëpërmjet ekranit.
E cilësuar si një ndër femrat më të bukura në Shqipëri, Xhilaga padiskutim që ka ditur ta menaxhojë siç duhet veten dhe famën. Por, pas ardhjes në jetë të djalit të saj, Fernandos gjithçka ka ndryshuar e këto ndryshime, siç thotë edhe ajo vetë ia kanë bërë akoma më të bukur arsyen pse ekziston. Fokusi i ditës, javës, muajit, vitit, jetës… është vetëm ai, mrekullia më e bukur që Zoti ia ka sjellë si bekim.
"Gjëja e parë që mendoj, sapo zgjohem në mëngjes janë ata, të puth Fernandon dhe Tomasin, dy mrekullitë e jetës sime", tregon këngëtarja për "Koha Jonë" në një rrëfim ndryshe për veten dhe rrjedhën që jeta i ka marrë.
E ndërsa po shijon një kohë të bukur me të birin, i cili sa më shumë rritet, aq më shumë i ngjan të atit, në pyetësorin e mëposhtëm Çiljeta na zbulon edhe shumë të pathëna të tjera për karakterin e saj, fëmijërinë, dashurinë e parë, raportin me miqtë dhe armiqtë, si për dhe lidhjen me Tomasin, partnerin, që e ka bërë femrën më të lumtur në botë.
Si do ta përkufizonit fëmijërinë tuaj?
Si pjesën më të bukur të jetës. Si moshën me kujtimet më të bukura dhe të pastra.
Po adoleshencën?
S’e kam shijuar shumë t’ju them të drejtën.
Kujtimi më i bukur që mbani mend nga klasa e parë?
Mbaj mend shumë kujtime, por zysh Enkelejdën s’do ta harroj kurrë. Ajo ka për të mbetur kujtimi më i bukur i klasës së parë.
Çfarë është dashuria për ju?
Dashuria për mua nuk është koncept, as përkufizim, sepse çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme, kështu që nuk mund të jap një definicion. Di të them që pa dashurinë unë s’kam frymëzim për asgjë.
Po seksi?
Diçka e domosdoshme, por jo më e rëndësishmja në një raport dashurie.
Në ç’moshë keni rënë në dashuri për herë të parë?
Në moshën 13-vjeçare. Kujtoj që kam qenë e fiksuar keq pas Ricky Martin, një dashuri platonike, e cila përfundoi me zhgënjim, pasi mësova se nuk preferonte femrat (qesh).
Po puthjen e parë e mbani mend? Ku e keni dhënë?
Sigurisht që e mbaj mend. E kam dhënë në moshën 15 vjec tek shkallët e pallatit.
Ndarja e lidhjes së parë, si e keni përjetuar?
E kam përjetuar në heshtje. Aspak me zhurma emocionale.
Jeni natyrë miqësore apo jo?
Po, shumë. Aq sa nganjëherë mendoj se jam më shumë seç duhet miqësore, por nuk mundem dhe nuk dua të ndryshoj. Kështu jam unë.
Keni armiq?
Personalisht nuk kam dhe nuk konsideroj asnjë armik. Të tjerët mbase mund të më konsiderojnë mua armike, por që s’kam qenë ndonjëherë dhe s’kam për të qenë kurrë. Mendoj se është me natyrë edhe armiqësia, gjë që unë s’e kam.
Ju pëlqen vetja (pamja)?
Po, më pëlqen, por jam me këmbënë tokë dhe më pëlqen aq sa duhet.
Ç’tipar fizik nuk pëlqeni?
Faqet.
Keni celulit?
Kam pak, por të parëndësishme në dukje. Fundja i kam të justifikuara edhe ato pak celulit që kam me lindjen e Fernandos.
Raporti që keni me trupin tuaj?
Raport shumë i mirë, domethënë merremi shumë mirë vesh me njëra-tjetrën (qesh).
Gjëja e parë që mendoni, sapo zgjoheni në mëngjes?
Të puth Fernandon dhe Tomasin, dy mrekullitë e jetës sime.
Po kur shikoheni në pasqyrë?
Gjej gjithmon defekte, që më fiksojnë fare.
Personazhi më simpatik i showbiz-it/ekranit shqiptar?
Ermal Mamaqi. Është një nga personazhet më fantastikë. Të njëjtën gje do të thoja edhe si njeri.
Më antipatiku/ja?
Kreshnik Spahiu.
Përfshiheni nga rutina dhe ç’bëni në raste të tilla?
Sigurisht që përfshihem nga rutina dhe besoj u ndodh të gjithëve. Zakonisht kur më ndodh kjo gjë ndez televizorin dhe shoh kukulla.
Ju ka ndodhur të flirtoni në club?
Kujt s’ i ka ndodhur?
Nese do i lejonit vetes nje flirt, me cilin personazh te famshem boteror do kalonit nje nate?
(Qesh). Me aktorin "The rock". Edhe pse në fakt Tomasi im është sozia ideale e tij, si në paraqitje, ashtu edhe karakterin e filmave që interpreton.
Kur ju qerasin, i pranoni pijet, apo i ktheni mbrapsht?
Varet nga kush. Nëse është person që e njoh dhe gëzon respekt për personin tim, pse jo?!
Raporti me meshkujt?
Shumë normal.
Çfarë e bën të bukur një mashkull në sytë tuaj?
Mënyra sesi shikon. Do të thotë shumë mënyra sesi ai, ose ajo vjen tek ty me shikim. Sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe unë i besoj shumë kësaj thëniejeje.
Aventura më e bukur?
Shtatzënia ime ka qenë aventurë e paparë dhe e kam shijuar në maksimum.
Jeni përballur ndonjëherë me vdekjen?
Jo kurrë, faleminderit Zotit dhe uroj të mos përballem derisa të kem plotësuar ciklin tim të jetës.
Keni frikë nga vdekja?
Po kam frikë.
Motoja juaj në jetë?
Jeto. Bëj qejf sa të mundesh, sepse një metër e gjysmë dhé marrim të gjithë në fund të jetës. Jeta është e bukiur dhe duhet jetuar me gjithë pozitivitetin e saj. Le t’i marrim më të mirën asaj.
Ç’do të thotë të jesh e bukur dhe çfarë është e BUKURA në tërësi për ju?
Koncepti për të bukurën është i ndryshëm për çdo njeri, por unë mendoj se të jesh e bukur është njësoj si makinat me opsionet ekstra full, pra do te thotë privilegj.
Nese do bënit një bilanc të deritanishëm të jetës suaj, sa për qind të dëshirave-ambicieve keni realizuar. Çfarë konkretisht?
Jam shumë e kënaqur me gjithçka kam arritur deri më tani në çdo aspekt dhe nëse duhet ta jap me përqindje bilancin e jetës sime them se ndjehem e realizuar deri në 80 për qind. Kam një karrierë të suksesshme, partnerin që kam në krah dhe tim bir ashtu siç i kam dëshiruar.
Ndjeheni e dashuruar dhe çfarë vlerësoni më shumë në raportin tuaj?
Ndjehem super e dashuruar. Vlerësoj çdo gje te karakteri i Tomasit, pasi ai është një njeri qetë, i ndjeshëm, korrekt dhe të krijon një lloj respekti spontan, ku s’lë vend për debate, apo për t’u diskutuar me zhurmë. Ai ka një autoritet, që pak njerëz e transmetojnë. Gjithashtu i vlerësojmë menyrën se si më bën të dashurohem çdo ditë me të dhe besimin që më jep. Ai lëviz shumë shpesh jashtë vendit dhe besimi në një lidhje është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Kjo s’më ka munguar kurrë tek ai, prandaj edhe duhemi kaq shumë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





