

Prishtinë, 4 korrik 2013 NOA.al – Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për mbylljen e institucionit dhe ndalimin e menjëhershëm të punës arsimore–shkencore të institucionit të arsimit të lartë privat “Universiteti Ndërkombëtar i Prizrenit” me seli në Prizren.
Ndërkaq, Policia e Kosovës konfirmoi pasditen e së enjtes per noa.al se ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.
“Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion – Prizren, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar se i njëjti ka kryer veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’. Hetuesit policorë së bashku me inspektorët e arsimit të lartë, pranë Ministrisë së Arsimit kanë bërë kontrollimin e dokumentacionit në lidhje me licencimin dhe akreditimin e të ashtuquajturit “Universiteti Ndërkombëtar i Prizrenit””, – i thane agjencise NOA.al, burime zyrtare nga Policia e Kosoves.
Gjatë kontrollit ka rezultuar se universiteti në fjalë nuk ka qenë i licencuar as i akredituar dhe që nga viti 2010 ka bërë regjistrimin e parë të 72 studentëve të vitit akademik 2010/2011 për studime Bachelor dhe Master, duke iu premtuar se studimet do t’i përfundojnë në këtë universitet në Prizren.
Ky universitet fillimisht kishte filluar si filial i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës e pastaj në vitin 2011 ka bërë regjistrimin e 14 studentëve për vitin akademik 2011/2012 si Universitet Ndërkombëtar i Prizrenit, i cili kishte marrëveshje mirëkuptimi me Universitetin shtetëror “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan-Shqipëri.
Të gjithë studentët janë mashtruar dhe në fund i kanë detyruar ata që t’i vijojnë studimet në Strugë-Maqedoni, dhe viti i dytë akademik i kryer në Prizren nuk u është njohur studentëve nga Universiteti Ndërkombëtar i Prizrenit, kështu që të njëjtit janë detyruar t’i vijojnë studimet në Elbasan, Shqipëri, ku si pasojë studentët janë mashtruar dhe janë dëmtuar financiarisht.
Vlera e parave të paguara nga studentët që kanë qenë të regjistruar në këtë universitet arrin shumën prej 255 400 euro, mjete financiare këto të fituara me veprimtari të kundërligjshme, fitim që bie ndesh me Ligjin mbi arsimin e lartë.
Gjithashtu të ardhurat nga regjistrimi i studentëve nuk janë paraqitur pranë ATK-së, gjë që dyshohet edhe për veprën penale ‘Shmangie nga tatimi’.
Për të gjitha veprimet hetimore është informuar Prokuroria Themelore në Prizren, ku me vendim të së njëjtës i dyshuari D.G. është ndalur për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





