

Tiranë, NOA.al – Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike, janë shjpallur katëer kandidaturat zyrtare për kryetarin e ri pas dorëheqjes së Berishës. Dy janë dominuesit e garës, Lulzim Basha, kryetar aktual i bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Kryesisë së PD dhe Sokol Olldashi, deputet dhe ministër në detyrë i Transporteve dhe Punëve Publike.
Dy anëtarë në vite të PD, gjithashtu janë futur në garën për kreun e ri demokrat. Ata janë Astrit Sinani, anëtar i PD-së, dega Fier dhe Sokol Prek Paja, anëtari i PD-së, dega Tiranë, një ndër personat që morën pjesë në manifestimet antidiktaturë të fillimviteve ’90.
Në fjalën e tij, kryetari në detyrë Sali Berisha është shprehur se ky proces është i një rëndësie jetike për Partinë Demokratike.
“Është në detyrën tonë më parësore, flakja mënjanë e mantelit të një forcë politike në pushtet. Ne duhet të përvishemi për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë”, – tha z.Berisha.
Ai shprehu bindjen se “PD ka potencialin më të madh për t’u bërë pushteti moral i vendit, për të ngritur vlerat dhe parimet që ajo ndan me qytetarët shqiptar por edhe me partitë simotra gjithmonë në botë”.
Duke folur për zgjedhjen e kreut të ri përmes parimit një anëtar një votë, z.Berisha e cilësoi të drejtë transferimin e pushtetit në votën e anetarësisë. Ai shprehu besim në integritetin e anëtarëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike në të gjitha nivelet duke thënë se ata do të dinë të bashkohen me lidershipin e ri në interesin më të mirë të Partisë Demokratike.
Kurse lëshoi një paralajmërim të prerë: “Në këtë proces asnjeri të mos përdorë pushtetin partiak apo shtetëror për të ndikuar te vota juaj. Jam i vetëdijshem se me këtë qëndrim cënoj një të drejtë të atyre anëtarëve të PD që janë sot në pushtet partiak apo shtetëroro-administrativ. Cilido prej këtyre që kemi në këtë tavolinë e çdo zyrtari të PD që do të lobojë publikisht për njërin apo tjetrin kandidat të partisë të ndjekë shembullin e kryetarit të japë dorëheqjen, e të lobojë më tej” tha Berisha duke përforcuar:
“Është një orë e veçante për mua të refuzoj me përçmim të çdo lloj ndërhyrje të cilitdo, përpjekje të dështuara që bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat, në raport me të cilën ne nuk na lidh asgjë, ata sharlatanë që harrojnë se kur tentojnë të ndërhyjnë janë një gjel në pleh dhe asgjë tjetër. Kërkoj nga anëtarësia përpjekjen për të ndërhyrë te secili, nxirreni procesin në bregun e fitores si na takon”. /a.b/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





