

Tiranë, NOA.al -(update) Këshilli Kombëtar i Territorit analizoi sot planin për gazsjellësin TAS, të cilin kryeministri Sali Berisha e cilësoi projekt gjigant.
Sipas tij, projekti TAP do t`i japë zgjidhje përfundimtare problemeve energjetike të Shqipërisë. “Sot ky është projekti më gjigant, për herë të parë në histori që peshku i madh nuk ha të voglin, dhe TAP nis me 40 miliardë dollarë investim fillestar. Ky është vetëm fillestar, pasi fusha të tjera të mëdha gazi, do t’i bashkohen në të ardhmen”, theksoi mes të tjerash Berisha, citon Noa.al.
Sipas Berishës, në pritje të burimit të gazit, TAP është tani burimi më real, më i mundshëm, më i prekshëm i gazit. Ai bëri të ditur se, TAP fillon vitin e ardhshëm ndërtimin, përfundon në 2018 dhe në 2019-n Shqipëria merr gazin e parë.
“Ky projekt rigjeneron të ardhur për shqiptarët duke filluar nga shpronësimet deri tek punësimet ku janë 10 mijëra familje shqiptare që përfitojnë. Projekti TAP është një ogur i bardhë për rezervat e mëdha të gazit që ka në Shqipëri”, vuri në dukje kryeministri.
Berisha falënderoi Presidentin e Azerbajxhanit, Aljev, i cili sipas tij, “tregoi ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; natyrisht e ka zgjedhur konsorciumi mbi bazën ekonomike, por mbështetja e presidentit Aljev ka qenë e palëkundur".
"Ne kemi qenë të parët, që kemi plotësuar plotësisht dokumentacionin për këtë gazsjellës. Ekipet e TAP kanë studiuar, shkelur me këmbë gjithë territorin shqiptar, ku kalon TAP dhe kanë bërë takime me komunitetin, kanë bërë një punë shumë të mirë. Shqipëria i autorizon ata të fillojnë punën në kohën e tyre më të përshtatshme", përfundoi kryeministri Sali Berisha. o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





