

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon deklaroi se ishte i shqetësuar nga interferenca ushtarake në Egjipt dhe shtoi se do të ishte tepër e rëndësishme krijimi i një qeverie civile sipas parimeve të demokracisë.
"Sekretari i përgjithshëm po ndjek nga afër dhe me shqetësim zhvillimet e shpejta në Egjipt dhe mbështet aspiratat e popullit egjiptian", thuhet në komunikatën e rastit të Pallatit të Qelqtë.
"Tranzicioni në Egjipt ndodhet në një pikë delikate dhe Ban bën thirrje për qetësi, jo dhunë, dialog dhe moderim", shtohet në të.
"Ndërhyrja ushtarake është me të vërtetë shqetësuese", theksohet në komunikatë.
Presidenti amerikan, Barack Obama kërkoi dje në mbrëmje vonë zgjedhjen e një qeverie të re civile në Egjipt dhe shtoi se ishte shumë i shqetësuar pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Morsi nga ana e ushtrisë.
Barack Obama shtoi se u kishte kërkuar agjencive të ndryshme dhe departamenteve të studionin procedurat ligjore të situatës së re të krijuar pasi, sipas ligjit amerikan, nuk lejohet që vendi të ndihmojë shtete ku ka ndodhur një grusht shteti.
Ndërkaq një zyrtar i lartë ushtarak konfirmoi para pak minutash se presidenti Morsi ishte arrestuar, ashtu siç kishte njoftuar edhe një zyrtar i "Vëllazërisë Myslimane".
"Morsi po mbahet nën arrest i mbrojtur", tha zyrtari i cili kërkoi të mos identifikohej. "Ndaj kryetarit të shtetit mund të ngrihet edhe një padi", shtoi ai.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





