

Plazhet e Kallmit shumë pranë Durrësit, kanë nisur të frekuentohen që në fillim të këtij sezoni veror. Kjo zonë që, duket se ka marrë emrin nga “kallamat”, ka qenë krejtësisht e izoluar për shkak të militarizimit të plotë të saj.
Mungesa e infrastrukturës rrugore nuk i pengon, veçanërisht të rinjtë që t’i drejtohen vijës bregdetare me plazhe zhavorresh, ku vitet e fundit subjektet private kanë krijuar komoditete të mjaftueshme për pushuesit ditorë.
Plazhe pak të njohura, thuajse të virgjëra
Plazhet e Kallmit vazhdojnë të jenë të panjohura, madje edhe për një pjesë të durrsakëve. Këtu gjen ujin e pastër dhe plazhet e vogla, por mbi të gjitha gjen qetësinë dhe intimitetin që mungon në plazhin tradicional, në Jug të qytetit.
Kodrat në veriperëndim të qytetit antik mbajnë ende të fshehur një zonë bregdetare të mrekullueshme, që mund të quhet edhe "Riviera e Durrësit". Është një territor me reliev krejt të ndryshëm, krahasuar me pjesën tjetër të brigjeve të Adriatikut, nga Vlora deri në grykëderdhjen e Bunës.
"Rruga ka mbetur ajo e 20 viteve më parë dhe pasi kalon Currilat, për të mbërritur deri këtu duhet të vuash të paktën 2-3 km. Megjithatë ia vlen", thotë Armir V., i cili vjen çdo fundjavë në Kallm së bashku me të fejuarën dhe një grup miqsh.
"Unë jam habitur, kur kam ardhur në këtë zonë disa vjet më parë", vijon tregimin e tij Armiri. Megjithëse ka jetuar gjithmonë në Durrës, 36-vjeçari durrsak nuk kishte kaluar asnjëherë në Kallm, pasi i gjithë bregdeti në vitet 1970-1980 ka qenë i izoluar për motive ushtarake.
Gjithçka që nis me plazhin e Currilave, më i frekuentuari në Durrës deri në fund të viteve 1960, vijon drejt Veriut me bregdetin e panjohur të Kallmit.
Diktatura komuniste, pasi shtetëzoi pronat private dhe i mbolli me ullinj kodrat me lartësi deri në 300 metra, në vitet 1970 e militarizoi plotësisht zonën përballë detit me bunkerë dhe minireparte, me gjithfarë armësh nga artileria bregdetare deri te kundërajrorët.
Kallmi ka nisur të rizbulohet nga pushuesit në vitet 2000, kur magazinat dhe tunelet e panumërt ushtarakë me vendim të qeverisë u zbrazën nga armët dhe eksplozivët e rrezikshëm, që u transferuan në vende më të sigurta.
Dy vjet më parë e gjithë kodra u pastrua nga bunkerët, si dëshmi e të cilëve kanë mbetur copat e mëdha të betonit të thyer. Ndërkaq familjet e ish-pronarëve, që kanë arritur të vërtetojnë lidhjen e trashëgimisë së të parëve kanë filluar të rimbjellin ullinjtë e shfarosur në vite, por me siguri janë kujdesur shumë më tepër për plazhet private, të cilat sjellin të ardhura shumë më të shpejta.
Mrekullia në 5 km plazhe
Shkëmbinjtë prej zhavorresh, të ngjeshura në shekuj, gjiret e vogla me plazhe në formën e gjysmës së hënës, gjelbërimi që nis menjëherë mbi kokat e pushuesve, përveçse e bëjnë misterioz këtë territor fare pranë qytetit, i joshin mjaft dhe plazhistët e thekur, që bashkë me banjat e diellit kërkojnë edhe peisazhet e kthjellta nënujore.
Entela M. vjen këtu çdo pasdite me biçikletë. "Pasi kalon Currilat, rruga është e keqe, por mua më shërben edhe si sport", thotë Entela, e cila e ka eksploruar Kallmin në të gjithë gjatësinë prej 4-5 km., nga moli i skafeve në Jug deri në afërsi të Porto Romanos, në Veri të qytetit.
Kur futesh në ujë dhe shikon të gjithë vargun e kodrave të krijohet një ndjesi ndryshe nga plazhet e tjera të Durrësit, vijon Entela, teksa kalon në krah të njërit prej plazheve private, që janë ngritur në afërsi të pronave të familjeve, që tashmë i kanë marrë ato në përdorim.
Që në fillim të verës, janë shtuar edhe disa plazhe të tjera private, por ende Bashkia nuk ka hedhur asnjë hap për riparimin e rrugës. Mbi të gjitha mungon ende një plan i veçantë rregullues për këtë zonë me resurse të jashtëzakonshme turistike bregdetare.
Kur vjen në Kallm, qyteti i Durrësit mbetet pas kodrës dhe para syve hapet një peisazh që mbyllet në Veri me Kepin e Palit, faqet e zhveshura të të cilit shihen që nga larg.
Rruga drejt Kallmit
Me çadrat e diellit në krah dhe me torbat me gjërat e domosdoshme për një paradite të këndshme, vizitorët zbresin nga rruga me çakull në gjiret e vogla detare, që ruajnë intimitetin e që nuk e gjen në plazhin tradicional që hapet i paanë në pjesën jugore të qytetit të Durrësit.
Rruga e pashtruar dhe mungesa e informacionit i kanë mbajtur disa kohë larg plazhistët, duke shërbyer edhe si një mburojë e mirë nga ndotja e mundshme që shkaktohet shumë herë nga pakujdesitë e pushuesve.
Para disa vitesh, një zjarr i madh shkaktoi djegien e faqes së kodrës, ndërsa reshjet e dimrit e kanë bërë më të lehtë rrëshqitjen e dherave drejt bregdetit. Këto janë dy rreziqe të mëdha, që duhet të shmangen para se në zonën kodrinore e bregdetare të Kallmit, të nisin investimet masive, shprehen specialistët.
Vitet e fundit në Qarkun e Durrësit me një vijë bregdetare prej 62 km ka patur një boom të plazheve të reja. Ndërtimi i disa rrugëve të reja që bashkojnë në pak minuta këto plazhe me superstradën Tiranë-Durrës ka ndryshuar edhe konceptin e drejtuesve të komunave të Katundit të Ri, Manzës dhe Ishmit, të cilët po e shohin zhvillimin e turizmit si një mundësi e madhe.
Vetëm në gjirin detar të Lalzit janë aktivizuar për herë të parë plazhet e sektorit Rinia, të grykëderdhjes së Erzenit, ato të Hamallajt, Rrushkullit dhe të Shën Pjetrit, ndërsa një vit më parë, hartës rrugore turistike iu shtua edhe rruga drejt Kepit të Rodonit.
Megjithatë, plazhet e Kallmit, shumë afër qytetit të Durrësit, vazhdojnë të jenë larg syve të turistëve masivë. Planet e pushtetit lokal dhe atij qendror, pritet të bashkërendohen për t’i dhënë një pamje krejt origjinale kësaj zone me burime të shumta natyrore. /Gëzim Kabashi/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





