Transmetuar më 03-07-2013, 23:04

Prishtinë 3 Korrik 2013 NOA.al – Projektligji për amnistinë i cili ka dalë nga marrëveshja në Bruksel, po has në një rrjet kundërshtimesh të gjera të shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Një ditë para diskutimit të tij në Parlamentin e Kosovës, tri organizata e kanë kundërshtuar deri tani këtë projekt gjatë ditës së sotme, ndërkaq janë organizaur dy tubime të ndryshme në shesh.

“KDI konstaton se përmbajtja e këtij Projektligji është në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës dhe cenon sigurinë nacionale dhe interesin publik në Kosovë. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë si sponzoruese e këtij projektligji, po tenton që përmes këtij projektligji të amnistojë një numër të madh të personave me precedente penale që janë pjesë e strukturave politike, institucionale apo edhe në pozita të larta publike”, thuhet në deklaratën e Institutit Demokratik i Kosovës.

Ndërkaq, në sheshin “Nënë Tereza” janë mbledhur qindra njerëz të thirrur përmes rrjetit social Facebook.

 “Qytetarë të nderuar nëse e lexoni këtë ligj e shihni se i ka konvenuar Qeverisë së Kosovës. E shihni që rreth 100 vepra kriminale falen. Aty kemi uzurpim të banesave … ai që ka spiunuar, dhe ka punuar kundër interesave të këtij vendi do të falet. Nëse ne arrijmë të mblidhemi në numër sa më të madh mund t’ia arrijmë që të ndalim dëme shumë të mëdha që mund të dalin prej këtij ligji”, ka thënë Shpend Kursani nga shoqëria civile.

Sipas tij, qytetarët nuk mund të shpresojnë në kundërshtimin e ligjit nga nga e deputetëve, përkatësisht 84 deputetëve që kanë votuar pro kalimit të marrëveshjes.

“Disa vepra të specifikuara në ligj duken sikur janë bërë pasi e kanë pyetur njëri-tjetrin se për cilën vepër ke nevojë të amnistohesh”, ka thënë ai.

Ndërkaq Rron Gjinovci ka përmendur zyrtarë të PDK-së që mund të përfitojnë nga ky projekt ligj. “Ata duan ta amnistojnë  jo vetëm veriun por edhe Xhabir Zharkun, djemtë e Adem Grabovcit, Bajrush Xhemajlin dhe shumicën e të qeveritarëve të korruptuar”, ka thënë Gjinovci.

Për këtë është paralajmëruar një protestë e organizauar nga qytetarët, nesër në orën 10:00 kur edhe do të fillojë seanca në të cilën pritet të hidhet në votim ky projektligj.

Ndërkaq, deri tash rreth 40 persona veç kanë filluar protestën, të cilët janë zotuar se do të rrinë gjithë natën aty për ta kundërshtuar këtë ligj.

Deri tash projektligjin për amnisti e kanë kundërshtuar organizatat si: KDI, KIPRED, IKD./t.k/a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit