


Tiranë, NOA.al – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para disa minutash në Tiranë, një efektiv i policisë së burgjeve ka vrarë gruan me të cilën bashkëjetonte dhe më tej i ka dhënë fund jetës së tij,
Krimi i dyfishtë mendohet se është kryer me armën e zjarrit që polici i burgjeve mbante për shkak të detyrës.
Ali Verteniku, rreth 64 vjeç është personi që ka vrarë bashkëjetuesen e tij Mimoza Nikolli, rreth 48 vjeçe.
Ngjarja ndodhi në banesën ku ata jetonin tek rruga "A.Basha" në lagjen Kombinat në periferi të Tiranës. Banesa ku jetonin ishte e të ndjerës Mimoza Nikolli e cila punonte kameriere në një lokal në Tiranë.
Sipas policisë, Ali Verteniku është grindur me gruan që bashkëjetonte, Mimoza Nikollin 48 vjeçe me të cilën kishte 3 fëmijë te moshes se mitur.
Gjatë grindjes, Verteniku ka nxjerrë fillimisht jashtë banesës fëmijët dhe është kthyer brenda në shtepi duke kyçur derën. Ka qenë ky momenti që janë dëgjuar krisma të një arme zjarri dhe më pas janë gjetur të pajetë dy trupa.
Nga të dhënat e policisë, dyshohet se Verteniku ka vrarë Mimoza Nikollin me armën e shërbimit dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Trupat u gjetën në kuzhinë.
Ishin fqinjët ata që lajmëruan policinë pasi dëgjuan krismat fatale dhe në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policore dhe hetimi që ende gjenden aty.
Fqinjët pohuan për policinë se çifti kishte kohë që grindej, ndërkohë që ata kanë qenë të parët që u janë gjendur 3 fëmijëve të mitur që tepër të tronditur thërrisnin emrat e babait dhe të nënës së tyre.
I ndjeri punonte prej afro 15 vjetesh si polic objektesh tek Morgu (Instituti i Mjekësisë Ligjore) të QSUT. Ky institucion sa i përket ruajtjes ishte në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kolegë të tij shprehen se kohët e fundit, Veterniku kishte shfaqur shenja depresioni dhe çrregullime emocionale dhe mendore. /a.b/noa.al/
Foto: Nga vendi i ngjarjes
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





