Transmetuar më 03-07-2013, 19:14

Jo zëvendësministër, por unë do ta emëroja Gjergjin ministër të Kulturës. Askush më mirë se Gjergji nuk e simbolizon kulturën tonë. Kulturën qeverisëse. Kulturën politike. E pse jo edhe bash këtë kulturën ku është emëruar. Rroftë Gjergji

Nga Berat Buzhala

Pse po i bini në qafë Gjergj Dedajt? A veç pse është katolik, a?

Po bëj hajgare, se e di që nuk e keni për këtë arsye, por e keni për shkak të pakujdesisë, naivitetit, e kryesisht për shkak të mungesës totale të kreativitetit për me e sulmu qeverinë. E tash e keni gjetur një penalti, pa portier e po merrni hyxhym të tanë me e shutu, sepse jeni të sigurt se keni me e qellu portën. Ndonëse Gjergj Dedaj sulmet e tij do t’i lidhë disi me Gjergj Kastriotin dhe fushatën e fundit që ka qenë zhvilluar kundër kryeheroit. Fundja dy Gjergja i kemi.

Hajt se edhe pakujdesia ka me u përfshi në amnisti, kështu që edhe ju të Facebook’it do të përfshiheni në faljen e këtij krimi.

Përndryshe jam i bindur që në kabinetin aktual të kësaj qeverie, ministrat dhe zëvendësit:

– Për nga niveli i poshtërsisë, një numër syresh janë shumë më të poshtër se sa Gjergji;

– Ndonëse Gjergji piket më të shumta i grumbullon në departamentin e paditurisë dhe injorancës, jam i bindur se brenda kabinetit aktual qeverisës një numër zyrtaresh qëndrojnë më mirë se Gjergji;

– Gjergj Dedajn e shquan sharlatanizmi. Ai është krejtësisht joimun ndaj kreditkartelave qeveritare dhe formave primitive të korrupsionit. Mirëpo, për mënyrat e sofistikuara të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare mund të themi me besim të plotë është me vite drite larg prej miqve që do t’i takojë në kabinetin qeverisës. Gjergji as te thembra nuk u vjen disa ministrave të kabinetit aktual. Gjergji ka ngelur në shkallen e korrupsionit të viteve të 90’ta, ku bëhet fjalë për qindra euro, e shumta disa mijëra. Jam i bindur se Gjergji për korrupsionin me shifra të qindra mijëra dhe milionave vetëm ka dëgjuar dhe ka lexuar, nëse di të lexojë fare ato shifra. Vërejtje: nuk po them se Gjergji nuk do të kërcente sikur miu në miell në buxhet, po qe se do t’i vinte rasti.

– Aty ku Gjergji i lë me gojëhapur kolegët e tij qeveritarë është niveli i komedisë dhe gallatës që ky zëvendësministër është në gjendje të shkaktojë.

Përndryshe Gjergj të uroj nga loçka e zemrës fillim të mbarë të punës. Mirë se u riktheve në klub. Pas zhdukjes nga skena politike shqiptare të Niki Kacurrelit ti sigurisht se do të na argëtosh nëpër debate televizive dhe edicione informative. Mos u skuq fare kur dëgjon se do të bëhen sulme ndaj teje. Orientoji në rrafshin religjioz. Ti nuk do ta dëmtosh në asnjë formë reputacionin e kësaj qeverie. Madje ti vetëm sa do ta plotësosh atë.

Me gjasë me Gjergjin në bord kjo Qeveri e ka përmbyllur ciklin e riformatimit.

Edhe pse unë këtë cikël do ta konsideroja të mbyllur nëse për shembull Zylfi Merxha do të emërohej zv.ministër i Punëve të Brendshme; kurse Sabit Rrahmani zv.ministër i Zhvillimit Ekonomik. /Gazeta Express/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit