Transmetuar më 03-07-2013, 11:20

Tiranë, Noa.al – Pasi e shpalli publikisht ambicien për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj i është drejtuar zyrtarisht zyrave të kësaj partie për depozitimin e kandidaturës, por nuk është pranuar.

Pas braktisjes së PD, Biberaj kohë më parë iu bashkua partisë së Bamir Topit, Fryma e Re Demokratike, por u largua edhe prej saj.

Biberaj ka folur me gazetarët duke dalë nga selia e PD-së, duke pretenduar se për shkak të anëtarësisë nuk ishte marrë parasysh vullneti i tij për kandidim.

“Kam dëshirën, vullnetin eksperiencën dhe mbështetjen e demokratëve për të qenë kandidat potencial. Është interpretim i problemit të statusit lidhur me anëtarësinë. Ky është një vendim që i takon Kryesisë. Administrata nuk më pranoi”, theksoi ai. Biberaj e cilësoi vendimin si një “çështje politike për të mos lejuar kandidimin e tij”.

FRD  tashmë është histori e mbyllur, sqaroi Biberaj duke shtuar se nuk e ka tërhequr kurrë anëtarësinë nga PD. Sipas tij, ai dëshiron të japë kontributin e tij në kushtet e vështira në të cilat ndodhen sot PD-ja dhe demokratët.

Derimë sot kandidat zyrtar i regjistruar për kreun e PD-së është vetëm Sokol Olldashi, i cili shpalli dje zyrtarisht kandidaturën e tij. o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit