





Pamje nga vendi i ngjarjes së sotme
Update – Dy shqiptarë kanë mbetur të vrarë pasditen e sotme në Greqi pasi u qëlluan me armë zjarri nga policia lokale, pas një tentative për arrati nga vendi i vuajtjes së dënimit në zonën e Trikala, raporton korrespondenti i noa.al.
Përmes një komunikate që policia greke lëshoi të mërkurën, tha se viktimat janë Edison Lika që mbante edhe emrin Miri Sinani, i biri i Hazisit dhe Nafijes, lindur më 4 prill 1988 në Shqipëri, si dhe Kujtim Lika, i cili mbante dhe emrin Flamur Sinani, i biri i Ramazanit dhe i Lijes, lindur në vitin 1974 në Shqipëri.
Vrasja e dy shqiptarve u bë në lokalitetin Koniska Thermou Etoloakarnania. Policia tha se në vendin e ngjarjes u gjetën dy armë zjarri automatike të llojit Kallashnikov me 6 karikatorë me fishekë, dy pistoleta dhe një bombë dore.
Edison Lika
Policia lokale ka nxjerrë një informacion paraprak duke thënë se dy shqiptarët ishin pjesë e një grupi prej 11 të burgosurish të arratisur nga burgu i Trikalas në Greqi më 23 mars të këtij viti dhe për kapjen e tyre kishte nisur një operacion i gjerë në orët e para të ditës së martë.
Pas identifikimit dhe lokalizimit të të arratisurve, vazhdoi një ndjekje intensive me helikopterë dhe qen policie në zonën e Trihonidha.
Gjatë orëve të pasdites së të martës, policia hapi zjarr duke vrarë dy prej shqiptarëve teksa ata përpiqeshin të çanin rrethimin policor.
Policia greke thotë se operacioni i saj është në vazhdim pasi po bëhen përpjekje për të kapur të arratisurit e tjerë.
Shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas akuzohen se gjatë arratisë së tyre, kanë vrarë në përleshje me policinë 25 vjeçaren Katerina Zogali para pak kohësh në zonën e Istmia Korinthias, si dhe më pas një polic 37 vjeçar më 17 qershor në zonën e Livadhjasë.
Po ashtu viktimat akuzohen nga policia se kanë kryer në Larisa, grabitjen e Bankës Kombëtare Greke (Ethniki Trapeza tis Eladhos), në shumën e një milion euro.
Mario Kola
Në këtë grabitje është identifikuar të ketë marrë pjesë 36 vjeçari shqiptar Mario Kola që shihni në foton tjetër, aktualisht nën kërkim policor. Po ashtu ai shihet si i përfshirë edhe në vrasjen e 25-vjeçares. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





