

Tiranë, NOA.al – Sokol Olldashi shpalli sot kandidaturën zyrtare për kryetar të Partisë Demokratike.
Në një komunikim të shkurtër me mediat, Olldashi tha se pas një bisede me kryetarin Sali Berisha dhe konsultimeve me strukturat e partisë “vendosa të kandidoj zyrtarisht për kryetarin e partisë”. Ai u shpreh se, kishte dorëzuar kërkesë për regjistrimin në garën për kreun e PD-së. Me arsyen se “kam 20 vjet në këtë parti, si dhe për të përfaqësuar militantët e simpatizantët”.
“Hyj në garë me dëshirën për të përfaqësuar anëtarët e kësaj partie. Hyj në garë për të ndërtuar themelet morale pasi proceset zgjedhore nuk janë pazare. Hyj në këtë garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e PD-së, anëtarët dhe krenarinë se jam pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në 1997- 2005 dhe arritjeve madhore që kjo qeveri ka arritur në 8 vite qeverisje”, sqaroi Olldashi, citon Noa.al.
“Garoj për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat do të ngremë opozitën sot për t’u kthyer shumicë nesër”, theksoi ai.
Partia Demokratike ka shpallur si afat të fundit për regjistrimin e kandidaturave për kreun e saj ditën e premte. Ndërsa deri sot e shpallur zyrtarisht është vetëm kandidatura e Aleksandër Biberajt.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





