

Prishtinë, 1 korrik 2013, NOA.al- Krijimi i Fondit për Zhvillimin e Veriut, që ka dalë prej bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vlerësohet se do të ketë implikime në ndryshimin e Ligjit për buxhet mund të ketë disa ndryshime për shkak të Krijimit të Fondit për Zhvillimin e Veriut. Të enjten, pritet votimi i parë për miratimin e tij në parim.
Deputetja Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk kanë shumë informata lidhur me këtë fond, sidomos për çfarë periudhe kohore vlen. “Sa i përket impaktit financiar në buxhetin e Kosovës, nuk mund të japë ndonjë vlerësim të veçantë sepse nuk e di sa është numri i bizneseve të regjistruara në veri dhe cili është aktiviteti i tyre tregtar. Do të thotë varet prej shumë parametrave. Mirëpo mund të them se është një kompromis i dhimbshëm për arsye se definitivisht ne nuk konsiderojmë se veriu i Kosovës është më i pazhvilluar se jugu ose diçka tjetër”, thotë ajo.
Ajo ka shtuar se LDK-ja është në mbështetje të negociatave me Beogradin që po zhvillohen në Bruksel.
“Me themelimin e Fondit për Zhvillimin e Veriut po krijohet një hapësirë që agjencitë dhe komunat tjera të kërkojnë të kenë fonde të veçanta”, ka thënë ajo.Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e kritikon ashpër këtë ligj. “Të gjitha paratë publike të mbledhura prej mallrave të importuara nga bizneset e regjistruara në veri të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, të cilat janë destinuara për konsum në këto komuna, në momentin e hyrje në Kosovë për mes pikave doganore në Jarinë pika 1, dhe Bërnjak pika 31, duhet të dërgohen në fondin e Kosovës duke u identifikuar dhe regjistruar veçanërisht, SIMFK dhe të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit që do të krijohet nga përfaqësuesi special në Kosovë, në një bankë komerciale”, thotë deputeti Visar Ymeri, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij këto do të jenë shpenzime paralele. “Ky buxhet paralel po financohet nga paratë publike të Republikës se Kosovës, po i ndahet një pjesë e buxhetit shumë varfër të Republikës se Kosovës, një pjesë e caktuar të territorit të Kosovës dhe një grupi të caktuar shoqëror të Kosovës, pa pasur kurrfarë plani. Pastaj se ku do të shpenzohen, çfarë dobish ekonomike do të kemi nga shpenzimet, dhe si do të funksionojë dhe forcojë shtetin dhe ekonominë e Kosovës”, thekson Ymeri.
Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” e quan të panevojshëm krijimin e këtij Fondi. “Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka ndarë fonde për atë pjesë, çka do të thotë se nuk është i nevojshëm një fond i veçantë zhvillimor. Pjesa veriore e Kosovës nuk dallon në aspekt zhvillimor nga pjesa jugore, e aq më tepër kur banorët e kësaj pjese, për shumë vite kanë marrë të hyra, si nga buxheti i Kosovës, po ashtu edhe nga ai i Serbisë”, shprehet Demi. Sipas tij, kjo është e panevojshme meqë Qeveria ka ndarë 19 milionë euro për këtë pjesë të vendit në tri vitet e fundit.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





