Transmetuar më 01-07-2013, 16:10

Uashington, NOA.al- Vejusha e zezë ndihej e sigurtë. Prej 6 muajsh udhëtonte nëpër Europë, për arsye pune, e bindur tashmë se mbi të nuk binin dyshime.

E ashtuquajtura “vejusha e zezë” portorikane u arrestua të dielën në mëngjes, në aeroportin e Madrid, nga një operacion i FBI-së dhe policisë spanjolle.

Për Aurea Vazquez Rijos ky ishte fundi i vrapit, së paku për tani. Portorikania rreth 30 vjeç, akuzohet nga drejtësia amerikane për vrasjen e së shoqit në vitin 2005, një biznesmen kanadez, Adam Anhang, 32 vjeç, me synimin për të përvetësuar paratë e tij.

Një krim brutal i ndodhur në rrugën e vjetër San Juan në Washington. Një kurth që sipas policisë u organizua nga gruaja, duke paguar një njeri, të cilit i premtoi 3 milionë dollarë.

Jo vetëm kaq, Aurea duke manovruar me ndihmën e një bashkëpunëtori, arriti ta hedhë fajin mbi një të pafajshëm. Një i ri u dënua me 105 vite burg, për vrasjen që nuk e kishte kryer, por që fatmirësisht u shpëtua nga Abe Anhang, babai i viktimës.

Kurajoz edhe pse i vrarë nga ngjarja e të birit, ai arriti të çojë drejtësinë përpara, duke akuzuar Aurean, por gruaja ndihmohej dhe mbrohej nga dikush tjetër, kështu që u arratis për në Porto Rico, duke gjetur strehim në Itali. Një zgjedhje jo e rastësishme.

E këshilluar mirë, siç raporton Noa.al ajo u vendos në një vend që nuk lejon ekstradimet për rastet që parashikojnë dënimin me vdekje.

Aurea arriti kështu të ndërtojë një mbrojtje ligjore dhe një jetë të re. U njoh me një italian me të cilin lindi dy binjake, hapi një aktivitet turistik në Firenze dhe më pas në Venezia.

Por mbi të gjitha krijoi një rrjet të raporteve personale, me objektivin e vetëm për të krijuar një mburojë rreth vetes së saj. Kështu duke dashur të shfrytëzojë njohjet në komunitet, mundohej të mos bënte gabime. Por pasi fitoi siguri la Italinë, për të shkuar drejt vendeve të tjera. Mendonte se kishte kthyer faqe, por FBI ishte gati.

Kur gruaja mbërriti në Madrid u arrestua, ndërsa në Porto Rico u arrestua motra dhe kunati i saj si bashkëpunëtor. Tashmë do të nisin procedurat e ekstradimit, kohë e parashikuar prej nëntë muajsh.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit