Transmetuar më 01-07-2013, 06:41

Doktori, si Gjeni që është, e ka në dorë vetë që, këtu të mos ketë qënë, këtu të mos jetë, gjithmonë të ketë ardhur, apo gjithmonë të ketë ikur. Sepse Doktori as ikën as vjen. Doktori këtu ka qënë, këtu është, këtu do jetë

Nga Edison Ypi

Ai që vjen, vjen. Ai që ikën, ikën. A ndodh gjithmonë kështu? A është ky një rregull i pandryshueshëm?

Ky rregull nuk është i pandryshueshëm. Ky rregull vlen për vdekëtarët e zakonshëm, ekzistenca e të cilëve ndjek përpikmërisht shkak-pasojën, pra është analoge.

Për gjeniun, për shembull, që vetëm ikën, vetëm vjen, as vjen as ikën, vjen duke ikur, ikën duke ardhur, ky rregull nuk vlen. Sepse Gjeniu nuk funksionon analogjikisht. Gjeniu, ai që vjen një herë në qindra vjet, ai që nuk lodhet për veten por për gjithë të tjerët, që vetëm jep e kurrë nuk merr, që nuk ka asnjë lidhje dhe asgjë të ngjajshme me mënyrën e funksionimit të vdekëtarëve të rëndomtë që vetëm hanë e shumzohen, nuk funksionon analogjikisht, funksionon në mënyra të tjera, alternative, eksentrike, bizarre, funksionon me “Kod”.

Nuk është për tu çuditur. Ka pafund shembuj të funksionimit ndryshe nga analogjizmi. Realitetet transendenciale janë të tilla. Ëndërrat, për shembull. Realitetet e gjenive janë realitete ëndërrash. Ku 2 edhe 2 nuk bëjnë 4. Udhëtimi në kohë është i mundur. E kaluara, e tashmja, e ardhmja, zëvendësojnë njëra-tjetrën sipas ligjësish që askush, as vet’ gjeniu, nuk i di.

Doktori, si Gjeni që është, e ka në dorë vetë që, këtu të mos ketë qënë, këtu të mos jetë, gjithmonë të ketë ardhur, apo gjithmonë të ketë ikur. Sepse Doktori as ikën as vjen. Doktori këtu ka qënë, këtu është, këtu do jetë.

Gjatë 23 viteve të kaluara Doktori punoi. Duke punuar vetë ftoi edhe të tjerët të punojnë. Çka njerëzit nuk e kanë qef, dhe nuk të binden me dëshirë, nuk të ndjekin. Për më tepër shqiptarët që, siç dihet, po i ftove në kafene ose në dasëm vijnë menjëherë, por po i ftove të bëjnë ndonjë punë, refuzojnë, dhe nisin të urrejnë.

Kjo ndodhi me Doktorin. Punoi vetë pa u lodhur, dhe arriti t’i vinte edhe shqiptarët në punë. Jo plotësisht. Deri në një farë mase. Dhe pagoi koston e kësaj të mire që u bëri të tjerëve. Nuk u lodh, as nuk u dorzua, as nuk u dëshpërua, iku, thjesht iku. Jo se iku menjëherë. Nga puna në punë, nga suksesi në sukses, me këmbëngulje titanike, iku pakngapak.

Dhe pasi iku, tani çfarë tjetër do bëjë Doktori veçse të vijë ?!

Ashtu si ikja, edhe ardhja, nuk bëhet menjëherë. Doktori sapo ka nisur të vijë. I tëri në mendjet e shqiptarëve Doktori do vijë pas pak. Kur të ndodhin ca gjëra.

Kur shqiptarëve tu ketë dalë rakia e gënjeshtrave për shërbim shëndetsor dhe legalizim falas, me pare që do bien nga qielli.

Kur të nisin ta çjerrin surratin duke parë xhepat bosh dhe veten të mbytur nga taksat, pa asnjë shpresë për ndonjë lehtësim.

Kur çunat e oficerave që do përmbytin administratën do t’ua fusin shtetin në çdo skutë. Në dyqan, në kafene po se po, deri brenda në shtëpi, pa asnjë shpresë se këtij tmerri mund t’i bëhet ndonjë derman.

Kur ky që rrugaçët e quajnë “Regjim” do t’u duket qef. Ndërsa aty tjetri që do sjellin biçimsëzët do tu duket skëterrë.

Kur ky korrupsion që është tani do tu duket hiçasgjë krahasuar me atë të Greqisë dhe plot vendeve të tjera.

Kur ta kuptojnë se klyshat e kurvit nuk do bëjnë dot, jo 10 mijë kilometra, por as 10 kilometra, madje as 10 metra, në fakt as 10 milimetra rrugë.

Kur fjalën tunel s’do ta zerë më njeri me gojë.

Kur burokratët e zyrave do shtohen si lepujt e Fibonaccit.

Kur çmimet do ngrihen përpjetë si leshrat e palara të munguara të editorit të një fletushke.

Kur ata mijëra e mijërat që kanë ndërtuar vila do habiten duke vënë duart në kokë do pyesin veten se si ka mundësi që vilën shumëmilionëshe e ndërtuan por tashmë në treg për vilën nuk do blejnë dot as një hu gardhi.

Kur ca merhumër të vetshpallur “djathtista” që vepronin si sekte miqsh dhe bënin mjau-mjau kundër Doktorit në kafene, do pyesin me sy të zgurdulluar njëri-tjetrin se si ndodhi që asnjë derë e administratës nuk do t’u hapet më edhe sikur të rrinë pas saj duke trokitur 100 vite rrjesht.

Kur të përndjekurit që mbështetën grevën dhe vetsakrifikimin e turpshëm të bashkëvuajtësve të tyre, do konstatojnë se për këtë administratë thjesht nuk ekzistojnë.

Kur naivët e kudondodhur, ata gazetangrënësit para televizorit, do kuptojnë se pavarësisht ç’thanë e ç’nuk thanë legenat gazetarë të shitur, për asnjë gabim të Doktorit s’do flitet, dhe për asnjë gjyq kundër Tij s’do bëhet fjalë, sepse do bëhet vetvetiu e qartë për të gjithë se gjithçka e mirë që është bërë ka lidhje me vullnetin dhe vendosmërinë gjeniale të Doktorit, ndërsa gjithçka e keqe me vet’ ata.

Por kryesorja që shqiptarët do kuptojnë është se do kishte qënë më mirë të kishin pranuar ftesën e Doktorit për të bërë ndonjë punë, se sa ftesën e klyshave të kurvit për në kafene.

O budallenj, Doktori nuk iku, Doktori erdhi.

Doktori ka qënë ose s’ka qënë, ka ikur ose ka ardhur, kudo dhe kurdo në interes të shqiptarëve. Edhe tash e tutje Doktori do vazhdojë të punojë pa u ndalur asnjë çast për të mirën e shqiptarëve. Por diku tjetër.

Diku ku nuk e shkul dot më asgjë, asnjë opozitë, asnjë gënjeshtër, asnjë votim.

Në mendjet e shqiptarëve, në shpirtrat e shqiptarëve, në çdo ind të trupit, në çdo qelizë të trurit të tyre.

Prandaj po tremben krimbat.

Prandaj po u nxihet surrati halabakëve që i përgojuan familjen.

Prandaj po spërdridhen nëpër banaqet televizive horrat dhe hajdutët.

Prandaj Malli për Doktorin, për këtë vigan puntor-liberator shqiptar, është si Malli i Lasgushit. Mall që vjen kur ikën. Mall që shtohet kur largohet. Mall që len nga perëndon. Që len e vejn e zjen e bren, por malli-mallin më s’e gjen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit