Transmetuar më 01-07-2013, 08:30

Ai beson në ëndrrën e Kombëtares sonë të futbollit për kualifikim. Kanë mbetur dhe katër ndeshje deri në tetor për të mësuar fatin e Shqipërisë në këtë rrugëtim dhe të ardhmen e de Biasit në pankinën kuqezi.

Një koment për çdo etapë dhe rrëfime për familjen, fëmijërinë, hobet e panjohura, komunikimin me tifozët shqiptarë dhe Shqipërinë… e tij. Njihni Gianni de Biasin, babain, bashkëshortin, trajnerin më të suksesshëm dhe mikun e Shqipërisë në këtë intervistë që i dha gazetës "Mapo".

Sapo keni përfunduar një tur me biçikletë nëpër Shqipëri. Si ju lindi ideja?

Më ftoi Saturno Brioschi, i angazhuar në fushën e komunikimit dhe spektaklit dhe falë Nicola Pinarello-s që më vuri në dispozicion një nga biçikletat e tij fantastike, me miqtë e shoqatës Bici &Solidarietà di Carovigno e Breshias vendosëm të bënim këtë tur. E gjitha kjo për të forcuar miqësinë mes dy popujve të ndarë nga i njëjti det!

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje gjatë këtij turi?

Bukuria e bregdetit jugor të Shqipërisë, zonat e mrekullueshme të Ksamilit dhe Dhërmiut, vende tërheqëse si Porto-Palermo. Mendoj që vendi është shumë i bukur, me pamje që të lënë pa frymë.

Me ju ishin një çiklist dhe një humorist i famshëm italian. Si u bëtë bashkë?

Le të themi që grupi ishte me të vërtetë shumë interesant dhe shoqëria shumë e mirë. Si të mos qeshësh kur ke një personazh si Giovanni Storti i trios Aldo, Giovanni e Giacomo dhe forcën e përvojën e një çiklisti profesionist si Marzio Bruseghin, që na këshillonte dhe na ndihmoi kur kishim probleme me biçikletat!

Jeni shumë aktiv në rrjetet sociale ku shkruajnë pa fund dhe fansat shqiptarë. Asnjë trajner i Kombëtares sonë nuk ka qenë kaq i afërt me tifozët. Pse keni zgjedhur këtë formë komunikimi? I lexoni gjithmonë ato që shkruhen?

Pikërisht ngaqë askush nuk e kishte bërë më parë, e mendova gjënë e duhur të kisha një kontakt të drejtpërdrejtë me tifozët kuqezinj. I lexoj gjithmonë gjykimet dhe komentet e tyre dhe ndalem edhe te sugjerimet e ndryshme …. E vetmja gjë që më vjen keq është që nuk mund t’u përgjigjem të gjithëve, janë me të vërtetë shumë!

Drejtimi i një ekipi mund të jetë një profesion si të tjerët, por sporti, futbolli në këtë rast, ka dhe pjesën emotive. Kur vijmë te Kombëtarja, kjo pjesë bëhet dhe më e fuqishme. Çfarë do të thotë të jesh një i huaj në drejtim jo vetëm të ekipit të Kombëtares së futbollit, por dhe të gjendjes shpirtërore të shumë shqiptarëve dhe tifozëve në çaste të caktuara?

Në Itali thuhet se ka 60 milionë drejtues teknikë skuadrash! Mendoj që drejtimi i një kombëtareje të vendos para gjykimeve të vazhdueshme, por kënaqësitë janë të stërmëdha nëse gjërat shkojnë siç duhet. Unë jam vendosur në realitetin shqiptar pa i tronditur menjëherë zakonet e këtushme, por duke sjellë pak nga pak kulturën e punës dhe të organizimit. I kam marrë për zemër fatet e Kombëtares sonë dhe megjithëse nuk jam shqiptar, po e jetoj me shumë krenari dhe pasion rrugëtimin tonë të përbashkët.

Cili është momenti më i bukur deri tani gjatë drejtimit të Kombëtares shqiptare?

Besoj që në këtë fazë të parë kualifikuese kemi pasur më shumë momente të bukura se të shëmtuara, por herën e parë që jam prekur me të vërtetë ishte kur mësova që ishim ngjitur në vendin e 48-të të renditjes së FIFA-s.

Si ndjeheni në Shqipëri? Çfarë ju bëri përshtypje herën e parë dhe çfarë vazhdon t’ju bëjë përshtypje akoma me kalimin e kohës?

Në Shqipëri ndjehem mirë, e jetoj pak realitetin shqiptar, por ato pak herë që jam, ndjehem si në shtëpi. Përshtypja e parë për Tiranën ishte e kushtëzuar nga moti i dimrit me qiell gri dhe për një tip si unë që do diellin, nuk ishte më e mira e mundshme. Me kohë ndërrova mendim, besoj është një qytet që të ofron shumë dhe pse ka gjithmonë shumë trafik.

Çfarë iu thoni miqve për Shqipërinë? Ka italianë që janë tifozë për Kombëtaren shqiptare?

U them që shqiptarët janë njerëz seriozë, që punojnë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Në Itali e kemi rritur numrin e tifozëve që bëjnë tifo për Shqipërinë, sepse miqtë dhe familjarët e mi janë tifozë të fuqishëm të ekipit “Kuqezi”…

A ju ka ndryshuar jeta pasi u vendosët në krye të ekipit tonë, për sa i takon udhëtimeve, kohës së kaluar larg shtëpisë, krahasuar me më përpara?

Gjithmonë kam qenë trajner i skuadrave të qyteteve të tjera dhe jam mësuar të jem larg shtëpisë, të udhëtoj shumë dhe t’ia kushtoj gjithë kohën time punës.

Na tregoni diçka për familjen. Kanë ardhur ta vizitojnë Shqipërinë?

Jam i martuar me  Paola-n prej shumë vitesh dhe kemi një vajzë, Chiara Sofia, që është në vit të dytë për Mjekësi. Nuk e kanë vizituar ende Shqipërinë, por më vonë me siguri që do vijnë.

Sa ka ndikuar karriera juaj si futbollist e më pas si trajner në rolin e bashkëshortit e babait?

Jam martuar në fund të karrierës si futbollist, ndërkohë që nisa punën si trajner kur u lind ime bijë. Sigurisht, bashkëshortja ka pasur rol kyç në rritjen e vajzës sonë, unë jam përpjekur të qëndroj sa më shumë që ishte e mundur afër saj. Deri sa vajza ishte gjashtë vjeç, të dyja më kanë ndjekur, pastaj kur vajza duhej të regjistrohej në shkollë vendosëm që të jetonte në një vend, në qytetin tonë.

Çfarë raporti kanë ato me futbollin?

Asgjë të veçantë. Nuk janë tifoze të zjarrta, por bëjnë shumë tifo për skuadrat që drejtoj unë, vuajnë dhe gëzohen bashkë me mua.

Me siguri gjatë këtyre muajve keni provuar kuzhinën shqiptare. Ju pëlqen diçka në veçanti? Çfarë porosisni në restorantet e Shqipërisë?

Do thosha që kuzhina shqiptare i afrohet shumë kuzhinës italiane. Keni peshk fantastik dhe mua më pëlqen shumë. Nuk mungojnë as pastat. Frutat kanë shijen e një herë e një kohe!

Keni mësuar ndopak shqip?

Fakti që shumë shqiptarë flasin italisht nuk më ka ndihmuar ta përmirësoj shqipen, por ditë pas dite e pasuroj fjalorin.

Keni nisur t’i njihni personazhet e politikës dhe artit shqiptar? Ndonjë parapëlqim?

Nuk i njoh aq sa të jap një mendim, për më tepër politikanët flasin shqip dhe për mua është e vështirë t’i kuptoj dhe si pasojë të gjykoj për ta.

Çfarë ngjarjesh dhe njerëzish kanë shenjuar rininë tuaj në vitet ‘60? Idhujt dhe ëndrrat e asaj kohe…

E kam kaluar fëmijërinë në Italinë e viteve ’50-’60. Nuk kishte kompjuter dhe jo të gjithë kishin televizor në shtëpi, ishin kohë të vështira, por gjyshërit e mi kishin një magazinë të madhe dhe ne ishim në gjendje të mirë. Ëndrra ime që i vogël ishte të bëhesha futbollist i serisë A!

Keni një foto në profilin tuaj në FB, ku jeni duke gatuar. Ju pëlqen kuzhina? Po ndonjë tjetër pasion veç biçikletave, që e mësuam tashmë?

Më pëlqen të gatuaj. Më çlodh. Me kushtin që mos të jetë për më shumë se 6-8 persona … Biçikleta është hobi im, ashtu si dhe golfi. Më pëlqejnë pushimet pranë detit. Sardenja, ku kam dhe shtëpi është për mua një “buen reteiro”.

Si është një ditë juaja e zakonshme?

Varet nga angazhimet (dhe kam gjithmonë shumë). Nuk rri dot me duar lidhur, zgjohem gjithmonë herët dhe përpiqen ta shfrytëzoj kohën sa më mirë.

Një pyetje shumë e rëndësishme: çfarë do ndodhë pas përfundimit të kontratës suaj me Kombëtaren tonë? Do rinovohet?

Nuk e di tani. Varet nga Federata, unë jam i gatshëm të marr në konsideratë me shumë interes projektet që do më paraqiten. Sigurisht kemi një grup lojtarësh që mund të na japin rezultate të mira shumë shpejt.

Çfarë mendoni për ndeshjet e mbetura? Ju besoni…?

Unë besoj!!! (e shkruan në shqip) Janë të gjitha të vështira, por dhe ato që kemi pasur deri tani kanë qenë!

Ku e shihni veten pas 10 vitesh? Nëse do kishit një ofertë më vonë nga një klub shqiptar, do pranonit të vinit të jetonit në Shqipëri?

Nuk e di, shpresoj të kem shëndetin! Për klubin…“Never say never”.

Programi i turit me biçikletë në Shqipëri 15-19 qershor

Dita e parë: Igumenicë – Ksamil: 71 km terren miks

Dita 2: Ksamil – Dhërmi: 72 Km  bregdet, terren miks Dita 3: Vlorë – Berat: 80 Km  rrugë e rrafshët

Dita 4: Berat – Elbasan: 82 Km – terren miks Dita 5: Elbasan – Tiranë: 65 Km – miks/ngjitje

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit