Transmetuar më 01-07-2013, 08:10

Kroacia prej sot është vend anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian. Një minutë pas mesnatës, Kroacia u bë zyrtarisht anëtarja e 28 e grupit, duke e shtuar bllokun me një anëtar të ri që nga zgjerimi i fundit në vitin 2007.

Ky vend me 4.4 milionë banorë është vetëm vendi i dytë i dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë që përfshihet në Bashkimin Evropian. Sllovenia u bë anëtare në vitin 2004, shkruan Zëri i Amerikës.

“Mirëserdhët në Bashkimin Evropian”, ka thënë mbrëmë në gjuhën kroate presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Mbrëmë mijëra qytetarë kishin mbushur sheshin e festimeve për anëtarësimin e Kroacisë gati dy dekada pas fundit të luftës për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vitesh reforma.

Anëtarësimi shënon një moment historik në kapërcimin e të kaluarës së përgjakshme të luftës së viteve 1991-1995 për pavarësi, ku gjetën vdekjen rreth 20 mijë vetë.

Mijëra vetë kanë dalë për të festuar në të gjithë vendin. Aktivitetet e planifikuara të zhvillohen në Zagreb përfshijnë shfaqje për dhjetëra udhëheqës të BE-së dhe vendeve të rajonit që janë mbledhur në kryeqytetin kroat me këtë rast. Ceremonitë do të mbyllen me fishekzjarrë dhe luajtjen e himnit të BE-së.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit