Transmetuar më 31-05-2013, 15:37

Dibër, 31 maj 2013, NOA.al- Kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit të rrugës së Kalasë së Dodës, theksoi se ndërtimi i rrugës ka qenë një qëllim madhor, pasi banorët kanë pasur vështirësi të mëdha duke qenë të izoluar.

Ai shprehu bindjen se këto zona nëpërmjet punës së banorëve do të bëhen ndër zonat më të zhvilluara të Shqipërisë, pasi tha se kjo rrugë është pjesë e unazës së Shqipërisë.

“Për ne nuk do të ketë komunë, nuk do të ketë fshatra të izoluar. Unë e di se prapë kemi komuna të palidhura me rrugë, por premtoj se do bëjmë gjithçka që edhe ata banorë të kenë rrugë moderne dhe të shkurtojmë të gjitha distancat. Askund ne nuk kemi tokë të pavlerë. Ne do u ndërtojmë fermerëve infrastrukturën, rrugë, ujësjellësa, kanalizime, ndërsa ata do të ndërtojnë jetën në mënyrë më të mirë”, deklaroi Berisha, raporton Noa.al.

Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit, kreu i qeverisë iu bëri thirrje gjithë banorëve të zonës që të votojnë për zhvillimin e zonave, për rrugë, turizëm dhe punësim.

Ai garantoi se shumë shpejt do të merret statusi për vend anëtar në Bashkimin Europian, duke thënë se brenda një kohe të shkurtër do të hapen negociatat, gjë që do të bëjë që zonat turistike shqiptare të njihen në mbarë botën.

Berisha ftoi banorët që më 23 qershor të votojnë numrin 44, “Iu bëj thirrje socialistëve të Kalasë së Dodës le ta ftojmë këtu kryetarin Edi Rama, të vijë këtu me autobusin mavi. Se erdhi njëherë dhe e pritën jashtëzakonisht mirë, siç prisni ju. U kthye në Tiranë bëri mbledhje kryesie dhe filloi të mburrej sikur kishte qenë në polin e veriut. Ju jap fjalën se prapë kemi rrugë për të bërë, për të ndërtuar, kanale vaditëse dhe ferma për të zhvilluar. Ndaj në qarkun e Dibrës do kemi 5 deputetë duke votuar nr.44 për mandatin e artë”.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit