

Shkup, NOA.al – Analistët politik në Maqedoni japin mendimet e tyre lidhur me dështimin e takimit të nivelit të lartë të procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që do të mbahej më 1 qershor në Ohër, mirëpo që u anulua nga ana e presidentit maqedonas, George Ivanov.
Analistët kanë theksuar se dështimi i këtij Samiti duhet të shikohet si një porosi e qartë për gabimet sistematike të politikës së jashtme të vendit, që sipas tyre, kjo politikë prej tani duhet të rishqyrtohet, raporton korrespondenti i Noa.al.
“Kjo që ndodhi flet se solidariteti i më shumë vendeve të Ballkanit dhe Evropës është në anën e Kosovës, ndërsa Shkupi zgjodhi anën e gabuar. Përgjegjësia kryesore për Samitin bie mbi politikanët maqedonas. Unë mendoj se ata bënë një vlerësim të gabuar pasi në rastin konkret u përcaktuan për palën e gabuar, pasi edhe sikur të kishte presione nga
Serbia, autoritetet maqedonase duhej ti nisnin ftesë edhe Kosovës dhe ta linin Serbinë që vetë të vendosë se çfarë do të bëjë. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se ne do të dilnin nga kjo situate”, theksoi profesori universitar dhe ish- ministri i jashtëm maqedonas, Denko Maleski.
Sipas tij, diplomacia maqedonase duhet të trajtoj këtë problem në raportet e saj me Bashkimin Evropian, por edhe rolin e saj që do të ketë në relacionet me Prishtinën dhe Beogradin.
Analisti dhe ish-ambasadori i Maqedonisë në OSBE në Vjenë, Arsim Zekolli theksoi se faji për Samitin, nuk duhet të kërkohet vetëm tek presidenti Ivanov, por të shikohet dhe analizohet edhe më gjerësisht, në planin e politikës së jashtme. “Shihet qartë se kemi diçka të gabuar në politikën tonë të jashtme. Me këtë anulim është bërë dëm më i madh i procesit të bashkëpunimit rajonal. Ivanovi pati një dalje publike emocionale të panevojshme kur anuloi takimin e Ohrit”, theksoi analisti Zekolli, i cili disa ditë para anulimit të Samitit të Ohrit, i kishte bërë thirrje presidentit shqiptar Bujar Nishani për të anuluar pjesëmarrjen për shkak të mosftesës për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. /n.p/o.k/noa.al
Kosova e paftuar, anulohet samiti i Ohrit
Samiti i Ohrit, mungojnë presidentë dhe kryeministra të rajonit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





