Transmetuar më 30-05-2013, 17:15

Tiranë, NOA.al – Kompania AMC bëri të ditur fituesit e programit të saj “Inovacioni vjen nga ju”. Ky program grantesh universitare ka në fokus mbështetjen e universiteteve publike, për të kontribuar në përmirësimin e ambienteve të përbashkëta apo të aspekteve të tjera të procesit mësimor në fakultetet e tyre.

“Inovacioni vjen nga ju” është konceptuar në formën e një konkursi idesh ndërmjet fakulteteve të ndryshme. Synimi është të motivohen studentët dhe profesorët që vetë ata të bëhen nismëtarët e ndryshimeve pozitive në universitete dhe, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë, t’i vënë në jetë zgjidhjet e propozuara. Programi është shtrirë në fakultetet e Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik, Universitetit të Mjekësisë, Universitetit Bujqësor, Universitetit të Arteve dhe Universitetit të Sporteve, njofton Noa.al.

Një komision ekspertësh, i përbërë nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, përfaqësuesi i Ericsson Albania, Adrian Braculla, Menaxheri i Departamentit të Radiotransmetimit në AMC, Ilir Duka, dhe Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës në AMC, Ornela Bego, përzgjodhi 22 aplikime nga totali i atyre të dërguara dhe bëri vlerësimin përkatës.

Dy projektet më të mira u shpallën gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast, ku morën pjesë të gjithë studentët dhe profesorët pjesëmarrës në konkurrim, anëtarë të trupit akademik, përfaqësues të AMC dhe komisioni vlerësues.

“Dixhitalizimi i procesit dhe të dhënave mësimore”, i propozuar nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, dhe “Ngritja e bibliotekës dhe orari mësimor dixhital”, i Fakultetit të Ekonomisë, ishin projektet që morën vlerësimin më të lartë, për vetë ndikimin që do të kenë dhe përputhjen e tyre me synimet e mbarë projektit.

Kryetari i komisionit vlerësues, akademiku Gudar Beqiraj, shprehu vlerësimin për këtë nismë, e cila zbatohet për herë të parë në universitete, duke vënë në lëvizje si studentët, ashtu edhe stafin akademik.

“Përzgjedhja e më të mirëve ishte e vështirë, pasi të gjitha projektet e dorëzuara kishin vlera reale. Ne veçuam dy prej tyre, të cilët sjellin risi në jetën akademike dhe do t’u shërbejnë jo vetëm studentëve të sotëm që i ideuan, por edhe brezave të tjerë. Madje këto projekte mund të nxisin edhe fakultetet e tjera ë zbatojnë zgjidhje të ngjashme” tha ai. Beqiraj përmendi AMC si kontribuuese e përhershme në arsim dhe teknologji, duke e ilustruar me ndihmën që kompania ka dhënë për infrastrukturën e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit menjëherë pas formimit të tij.

Ndërsa Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës në AMC,  Ornela Bego, u shpreh e kënaqur nga larmia e prurjeve dhe cilësia e tyre. “Idetë e paraqitura nga pjesëmarrësit janë vërtet domethënëse. AMC përgëzon fituesit dhe është e bindur se zbatimi i projekteve të tyre do të përmirësojë jetën akademike në fakultetet përkatëse. AMC është gjithnjë përkrahëse e zgjidhjeve teknologjike me ndikim pozitiv të drejtpërdrejtë në shoqëri dhe veçanërisht në sistemin arsimor. Ne do të ndërmarrim nisma të reja, për të vazhduar bashkëpunimin me studentë e pedagogë, në të mirë të arsimit” përfundoi Bego.

Programi i granteve të AMC për universitetet ishte i orientuar drejt aplikimeve që kanë në bazë teknologjinë për zgjidhjen e problemeve të identifikuara në teknologji informacioni dhe komunikimi, në ambiente të përbashkëta për studentët, në biblioteka dhe ambiente studimi për studentët, si edhe në mjedise mësimdhënieje apo kërkimi shkencor.

Projektet e përzgjedhura si fituese do të vihen menjëherë në praktikë, falë edhe angazhimit të vetë studentëve dhe profesorëve të tyre. Programe të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen, për t’u krijuar mundësi edhe studentëve e pedagogëve të tjerë të bëhen pjesë e zhvillimeve të rëndësishme në institucionet arsimore.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit