Transmetuar më 30-05-2013, 12:55

Tiranë, 30 maj 2013, NOA.al- Ministria e Jashtme ka hedhur poshtë deklaratat e kandidatit socialist për deputet në Peqin, Alfred Peza.

Në qëndrimin e saj MPJ konstaton me keqardhje se kandidati për deputet i PS në Peqin, Alfred Peza, ka shpërndarë dje për mediat një deklaratë të pavërtetë, ku thotë se bashkëshortja e tij, Mirela Peza është hequr nga detyra, një ditë pas shpalljes së kandidaturës së tij për deputet.

“Për transparencë dhe mirëinformim të opinionit publik, sqarojmë se znj. Peza vazhdon të punojë në Ministrinë e Jashtme si shefe e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, dhe nuk është e vërtetë që është larguar nga detyra. Sqarojmë se zonja Peza ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shtypit dhe Informacionit deri në datën 07.06.2012. Në bazë të miratimit të strukturës dhe organikës së re të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo drejtori u kthye në sektor dhe zonja Peza u emërua shefe e këtij sektori. Me urdhër të ish ministrit Haxhinasto numër 190, dt 07.06.2012, zonja Peza u emërua përgjegjëse e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, ku vazhdon dhe sot. Sqarojmë se kjo lëvizje në detyrë një vit më parë, në kohën kur gjithë Ministria e Jashtme u ristrukturua, nuk ka aspak lidhje me kandidimin e zotit Peza”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme.

Po ashtu theksohet se e pavërteta më e madhe qëndron në deklaratën e Alfred Pezës kur thotë se gruaja e tij u hoq nga detyra një ditë pas kandidimit të tij, ku shtohet se kandidati socialist deklaron se gruaja e tij është larguar nga detyra në 3 shkurt të këtij viti, kur ai la gazetarinë për politikën.

Sipas MPJ kjo është një gënjeshtër e madhe që përdoret për qëllime elektorale, dhe synon të dizinformojë opinionin publik.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit