

Shkodër, 30 maj 2013, NOA.al- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar në Shkodër një bashkëbisedim me biznesmenë, sipërmarrës të njohur si dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të biznesit.
Gjatë këtij takimi Meta tha se përmirësimi i klimës së biznesit është prioritet i rëndësishëm për LSI-në.
Sipas tij biznesi duhet të jetë një partner shumë i fuqishëm i qeverisë, i shtetit për të çuar para të gjitha reformat, për të çuar para edhe integrimin europian sepse pa një ekonomi të zhvilluar, pa një sipërmarrje të zhvilluar, integrimi europian është një projekt i dështuar dhe punësimi i pamundur.
Kryetari i LSI tha se çështja e taksave është një çështje që duhet parë në funksion të këtyre objektivave, pra të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar në prodhim, të bazuar në eksport, të bazuar në produkte “Made in Albania” dhe sigurisht që të gjitha politikat e tjera tatimore duhen vënë në funksion të këtyre objektivave.
Sipas tij situata ekonomike është plot mjegull rreth e qark. “Kjo shprehet sidomos në rënien e dërgesave të emigrantëve tanë, të cilat kanë pësuar një rënie drastike. Dhe kjo pastaj shprehet edhe në shumë tregues të tjerë, në rritjen e borxhit, në rritjen e deficitit tregtar e kështu me radhë. Ndaj për ne është imediate që përpara se të diskutojmë për taksat, të diskutojmë dhe të angazhohemi për një model të ri ekonomik, i cili bazohet jo thjesht tek konsumi, i cili është financuar deri më tani nga të ardhurat e emigracionit, por që bazohet tek prodhimi në vend. Dhe akoma më tepër tek një ekonomi që jo vetëm prodhon por edhe eksporton. Kjo është rruga më e sigurt për një ekonomi kombëtare të qëndrueshme dhe njëkohësisht edhe për një punësim të qëndrueshëm duke qenë se për ne problemi kryesor në vend, sot dhe për të ardhmen, mbetet problemi i punësimit dhe rruga më efektive për të zbutur problemet sociale është ajo e punësimit”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





