





Kur mbeten edhe 25 ditë nga e diela elektorale e 23 qershorit, motorët e fushatës së dy kampeve kryesore politike kanë qenë të ndezur edhe këtë të mërkurë përgjatë gjithë ditës.
Kryeministri Sali Berisha e nisi ditën elektorale me përurimin e punimeve për një rrugë që lidh Lushnjën me disa fshatra, kurse më herët kishte marrë pjesë në i Konferencën Rajonale me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”.
Gjatë ditës elektorale, Berisha zhvilloi pasdite edhe një bashkëbisedim me qytetarë të Urës Vajgurore dhe e mbylli ditën me një miting në Kuçovë.
Kreu socialist, Edi Rama, pas një axhende të ngjeshur deri në mbrëmje dje në Elbasan, sot herët në mëngjes u gjend në Turqi ku u takua me kryeministrin Taip Erdogan. Menjëherë më pas ai u kthye në Shqipëri, për të vazhduar me axhendën elektorale.
Kështu z.Rama zhvilloi një takim me peshkatarë në Durrës e më pas një bashkëbisedim me qytetarë të Kavajës.
Berisha prezanton kandidatët e PD
Berat, 29 maj 2013, NOA.al- Në vijim të takimeve dhe prezantimeve të kandidatëve për deputetë, Kryeministri Sali Berisha u ndal në Kuçovë në një miting me simpatizantë.
Në fjalën e tij para mijëra banorëve ai u zotua se me deputetët e këtij qarku do të bëhet gjithçka që Kuçova të ketë infrastrukturën më moderne, ndërsa shtoi se brenda pak viteve me seriozitet të madh u bënë një sërë anëtarësimesh dhe reformash të rëndësishme.
“Këto vitet e fundit ne së bashku ndërtuam mijëra kilometra rrugë, vetëm në Berat ndërtuam rreth 78 shkolla. Ndaj le të vazhdojmë përpara për të ndërtuar çdo shkollë dhe për të shtrirë internetin në çdo klasë në mënyrë që të rinjtë të arsimohen. Në pak vite ne ia dolëm që të rrisim rrogat dhe pensionet. Mësuesja e cila merrte 150 mijë lekë, sot merr rreth 400 mijë lek. Merr rreth 20 rroga më shumë se sa merrte në vitin 2005. Sot fermeri shqiptar që merrte gjithsej 3400 lekë merr tani rreth 8000 lekë, pra 13 pensione më shumë se sa merrte 6 vjet më parë. Ne së bashku me rrugën tonë ia dolëm në Kuçovë, Berat dhe në gjithë Shqipërinë të rrisim 2-3 herë bizneset e mesme dhe të mëdha dhe të dyfishojmë bizneset e vogla. E di që ka biznese në vështirësi por u them se reformat tona kanë funksionuar dhe funksionojnë, pasi ne ulëm taksat, bëmë të mundur të punësohen në katër vitet e fundit mbi 200 mijë vetë”, tha Berisha raporton Noa.al.
Në vijim kreu i qeverisë tha se Edi Rama nuk duhet ti fyejë qytetarët shqiptarë, pasi në autobusin e tij mavi ka ngritur një bandë dhe i krahason ata me rilindësit, shenjtorët e mendimit kombëtar.
“Edi Rama paraqet para Beratit Fidelin si Babë Dudë Karbunarën, mos i lëndo shqiptarët, se këtë nuk ua ka bërë askush. Çfarë e lidh Koço Kokëdhimën me Naim Frashërin, Tom Doshin me Filip Shirokën. Zoti Rama këtë emërtim të këtyre shokëve mund ta bësh vetëm ti për shkak të trashëgimisë tënde, trashëgimi e cila eterit tuaj e urrenin rilindjen. Është e freskët në memorien tonë kur ata ndërmorën revolucionin ndaj tyre, kurse ti guxon dhe i krahason me Fidel Yllin, Kokëdhimën etj” deklaroi ndër të tjera Kryeministri.
Berisha: Rama nuk e sheh zhvillimin, i ngujuar në autobus
Berisha bëri thirrje për çdo qytetar shqiptar duke thënë se Edi Rama me Rilindje nënkupton rilindjen e etërve të tij, ndërsa shtoi se 23 qershori do të jetë dita e humbjes, duke apeluar për të ecur përpara në rrugën e investimeve dhe zhvillimit.a.y/noa.al
Rama në Bradashesh
Për kryetarin socialist, jo vetëm zonat e Elbasanit që ai vizitoi por edhe tërë vendi, sot, pas 4 vjetësh, nuk janë më mirë, janë më keq. E vetmja gjë, që këtu unë e gjej më shumë se katër vite më parë është nevoja për ndryshim, është nevoja për të ndëshkuar këtë qeveri, që në këto katër vjet i ka sjellë popullit të Elbasanit një rrënim social dhe mjedisor, – u shpreh Edi Rama në një takim me banorë të Bradasheshit.
Rama tha se sot Elbasani është kryeqyteti i papunësisë dhe i ndotjes në Shqipëri dhe shtoi: “Sot Elbasani është kryeqyteti i të rrënimi të vazhdueshëm social. Kur mendoj që të gjithë këta të rinj që janë këtu janë para rrugës së papunësisë atëherë them se çdo prindi këtu në Bradashesh, pavarësisht se është socialist apo është demokrat, i lind detyra që të votojë si prind në 23 qershor”.
Në këtë pikë ai vlerësoi se “të votosh si prind në 23 qershor do të thotë të votosh për Rilindjen dhe jo për rrënimin, të votosh për punësimin dhe jo për papunësinë, do të thotë të votosh për ta çliruar biznesin jo për ta shkatërruar biznesin, të votosh për shëndetësi falas dhe jo për shëndetësi si pas xhepit, të votosh për arsim për të gjithë dhe jo vetëm për ata që kanë lekë për të blerë librat, pra të votosh për Partinë Socialiste dhe jo për Partinë Demokratike”.
Në vijim z.Rama u shpreh: “Ne nuk do të bëjmë mrekullia, por është e sigurt që ne do jemi me ju dhe do punojmë për ju. Ne do të jemi në krahun tuaj dhe nuk do t’ju tradhtojmë. Ne do qeverisim për të mirën tuaj dhe për të mirën e familjeve tuaja, për të mirën e Bradasheshit , për të mirën e Elbasanit, për të mirën e të gjithë Shqipërisë. Ju keni nevojë për punë, por keni nevojë për një punë që ju jep lekë, për një punë që ju jep lekë dhe për aq lekë sa të mundë të jetoni me punë të ndershme”.
Rama: Vendet e punës të Berishës joreale, frytet e ndryshimit Kavaja i mori
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u ndal në qytetin e Kavajës, në një kënd fjale me banorët e zonës.
Gjatë fjalës së tij ai tha se papunësia është dyfishuar, ndërsa shtoi se edhe ata që kanë mbaruar shkollën e lartë nuk kanë vend pune.
Ai u zotua për hapjen e vendeve të reja të punës, ku tha se do krijohen kushte për të thithur sa më shumë investime dhe nëpërmjet trajnimit profesional, duke theksuar se ekziston një plan i qartë trajnimi profesional për gjithë ato gra të reja që janë të papuna.
“Berisha bën spote publicitare për vende pune joreale, duke thënë se janë hapur kaq vende pune e do hapen kaq të tjerë, ndërsa ne planet për punësim i kemi konkrete. Ne do i japim përparësi barazisë gjinore për punësim. Frytet e para të ndryshimit Kavaja filloi ti marrë, unë e di se rrugët, pemët etj, nuk është se hahen, por është shprehje e një energjie të re që ka marrë qyteti”, deklaroi Rama.
Sa i takon çështjes së legalizimeve kryesocialisti theksoi se prej 20 vjetësh kjo çështje vazhdon të mbetet e pazgjidhur, ku nënvizoi se Partia Socialiste do i japë fund këtij problemi gjatë qeverisjes së saj, ku shtoi, “Legalizimet na duhen për të vënë në lëvizje këto kapitale të vdekura që rrinë pa lidhje mbi tokë. Për këtë arsye në që ditën e parë të fillimit të punës së qeverisë do të merremi dhe me fillimin e punës për legalizimet dhe këtë proces unë do ta drejtoj personalisht”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





